Veliaj inspekton punimet për transformimin e Bulevardit “Zogu I”: Do të jetë rruga më me vlerë në Tiranë

Tirana

Veliaj inspekton punimet për transformimin e Bulevardit “Zogu I”: Do të jetë rruga më me vlerë në Tiranë

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 14:10
Erion Veliaj

Bulevardi “Zogu I” po merr një pamje të re dhe brenda vitit do të transformohet në një hapësirë të madhe publike, me sheshe e fasada të unifikuara në të dyja anët. Një investim i cili pritet t’i japë një impuls ekonomik të gjithë zonës, që lidhet me Bulevardin e Ri. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në terren dhe falenderoi qytetarët për bashkëpunimin.

“Ky është një nga projektet më të vështira të Bashkisë së Tiranës. Nëse Bulevardi i Ri ishte një hapësirë e pabanuar, ku çdo gjë mund të bëhej nga e para, kjo është një zonë e banuar prej vitesh, ku janë bërë improvizime – dikush një tendë, një tjetër një shtesë apo një sajesë mbi çati. Por, ka ardhur koha të kemi uniformitet, ndaj falenderoj 99% të banorëve që janë treguar bashkëpunues”, tha Veliaj.

Ai theksoi se shumica e do progresin dhe të bukurën, prandaj shprehu besimin se edhe ajo pakicë e vogël do të bëhet bashkëpunuese. “Për sa kohë që shumica do progresin, do të bukurën, estetikën, do të duhet që të bashkëpunojmë të gjithë. Me ligj fasadat janë pronë e Bashkisë së Tiranës – ti ke pronë private pjesën brenda të shtëpisë, por fasada është pronë e bashkisë. Ndaj, për sa kohë që bashkia, institucionet publike dhe 99% e banorëve bashkëpunojnë, jam i sigurt se edhe ai 1% i mbetur do jetë pjesë e këtij bashkëpunimi”, nënvizoi kryebashkiaku.

Projekti i Bulevardit “Zogu I” është konceptuar si një miks hapësirash publike, ku nuk do të mungojnë edhe aktivitetet ekonomike. “Kemi fituar një pafundësi hapësirash. Mjafton të shihni me sy të lirë se vetëm nga heqja e kangjellave te Ministria e Drejtësisë, te Fakulteti i Shkencave dhe te materniteti i vjetër i Tiranës, kemi fituar disa hapësira. Njerëzit do të shikojnë një kombinim mes një bulevardi totalisht të transformuar dhe një rruge me kalldrëm modern; do të shohin dyfishim të trotuareve, sepse duam që të ketë një rrugë shopping-u, një hapësirë ku qytetarët të kenë mundësi të pinë një kafe, të konsumojnë produkte të ndryshme, të ulen e të hanë në një restorant. Do të jetë ndoshta rruga më me vlerë në qytet”, tha ai.

Ndërkaq, projekti i ri krijon edhe një lidhje mes Bulevardit “Zogu I” dhe Bulevardit të Ri, ku do zhvendosen institucionet dhe bizneset e mëdha të vendit. “Do kemi një lidhje me Bulevardin e Ri, pasi deri dje ishin si dy hapësira me cilësi ndryshe nga njëra-tjetra. Tani cilësia është e njëjtë, ndaj nuk do të dallohet fare kur kalojmë nga pjesa e Tiranës së vjetër tek ajo e Tiranës së Re. Tirana ka 100 vite me këtë bulevard, e tani do ketë 100 vite të tjera me një bulevard totalisht të transformuar. Në gjysmën e dytë të vitit, kur do të nisë zhvillimi në zonën e Bulevardit të Ri, me zhvendosjen e zyrave, bankave, institucioneve dhe korporatave të vendit, besoj se Bulevardi “Zogu I” do të jetë një pikë takimi i shkëlqyer mes polit të Tiranës rezidenciale dhe polit të Tiranës Fin-Tech”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me familjen mbretërore, do të realizojë zhvendosjen e monumentit të Ahmet Zogut në një hapësirë më dinjitoze. “Ne do të kemi një zhvendosje, e dakordësuar kjo edhe me familjen mbretërore, të monumentit të Ahmet Zogut, në një prej shesheve që krijohen përgjatë bulevardit”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi të studentët se ashtu siç Fakulteti i Shkencave të Natyrës fitoi një hapësirë të re nga heqja e kangjellave, ashtu do të transformohen edhe fakultetet e tjera. Projekti parashikon rehabilitimin e 34 objekte dhe fasadave përreth Bulevardit. Aty do të mbillen edhe pemë të larta, lule e shkurre dekorative, për t’i dhënë një pamje krejt tjetër të gjithë zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat