Skandal në institucionet e shëndetit në Tiranë, marrin ryshfet nga qytetarët që t’u bëhet tamponi i COVID-19

Tirana

Skandal në institucionet e shëndetit në Tiranë, marrin ryshfet nga qytetarët që t’u bëhet tamponi i COVID-19

Më: 18 korrik 2020 Në ora: 06:30
Ilustrim

Rritja e rasteve të COVID-19 në Shqipëri po shihet me frikë nga qytetarët, të cilët në përpjekje për të qetësuar veten, kanë tentuar të sigurojnë kryerjen e testit në ilegalitet.

Këtë të premte, Policia e Shtetit lajmëroi se një operacion hetimor i drejtuar nga SPAK që ka zgjatur rreth katër muaj është finalizuar me arrestimin e 14 personave, zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik, të Inspektoratit Shëndetësor dhe mjekë në poliklinikën e Tiranës, njofton Euronews Albania.

Sipas asaj që njofton Policia, SPAK-u ka dokumentuar faktin se këto persona kanë arritur të marrin ryshfet më shumë se një herë.

Policia e Shtetit theksoi se hetimet zbuluan raste të “ndërmjetësimit me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja.”

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.500.000 lekë të reja dhe 2500 euro, 35 libreza shëndetësore të gjetura në disa subjekte tregtare private në qytetin e Tiranës; certifikata dezinfektimi dhe dokumente të ndryshme mjekësore që janë lëshuar në mënyrë fiktive nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Higjienës Tiranë; 14 aparate celulari të markave të ndryshme dhe një pajisje elektronike tablet.

Autoritetet ligjzbatuese vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat