Si u kthye Tirana në vatrën e nxehtë të Covid - Bota Sot
Si u kthye Tirana në vatrën e nxehtë të Covid

Tirana

Si u kthye Tirana në vatrën e nxehtë të Covid

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 09:11
Foto ilustrim

Shqipëria po përjeton një situatë kritike të përhapjes së infeksionit nga Covid-19. Tirana është zona më e nxehtë e epidemisë. Koronavirusi ka kaluar në transmetim komunitar dhe hetimi epidemiologjik po humbet rolin e tij.

Silva Bino kërkon respektimin e masave, pasi këtë periudhë virusi është më ngjitës nga sa mendohej.

“Ne vëmë re se kemi të bëjmë me një sëmundje që është më ngjitëse se në shkurt. Kemi të bëjmë me një sëmundje që përhapet në rrugë ajrore, virusi qëndron pezull në ajër. Nëse do të përhapej përmes stërklave, nuk do të ishte kaq infektues. Pra, nëse rrimë në një dhomë me kondicioner ne jemi të riskuar nëse nuk mbajmë maska”, tha Bino.

Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik thotë se infektimet më të mëdha kryesisht kanë ndodhur në vendet e punës. Sipas Silva Binos, zbatimi i protokolleve mbrojtëse frenon përhapjen e infeksionit dhe zbut transmetimin e virusit.

“Duhet të parandalojme transmetimin në vendin e punës. Qoftë në zyrat e shtetit apo në kompani private duhet të zbatohet protokolli i shpallur që në fillim të epidemisë. Puna të bëhet me orare të caktuara, dikush të punojë nga shtëpia dhe dikush nga puna për të ulur transmetimin. Ne kemi vënë re se aty ku është ruajtur masa, nuk janë gjetur raste pozitive”, u shpreh Bino.

Moszbatimi i masave, sipas Binos, do të na çojë në situata kritike, deri dhe në rritjen e humbjeve të jetës: “Mospërfillja e masave na çon në skenare që nuk janë të mira. Vendosin një peshë për sistemin shëndetësor, do të kërkojë më shumë energji, do të ketë më shumë forma të rënda. Më vjen keq që e them, edhe më shumë vdekje”.

Përfaqësuesja e Komitetit të Ekspertëve thotë se ende nuk ka një vendim përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor. Gjithçka, sipas Binos, do të varet nga shifrat dhe përhapja e infeksionit: “Është shumë më e vështirë të zbatohen këto masa në shkollat 9-vjeçare apo në kopshte. Kjo do të vlerësohet rast pas rasti dhe në varësi të situatës së epidemisë”.

Edhe pse Tirana është vatra më e nxehtë e koronavirusit, me mbi 1 000 të sëmurë aktivë, Silva Bino nuk rekomandon izolim të kryeqytetit apo mbyllje të shërbimeve. Sipas saj, qytetarët, si në Tiranë, ashtu dhe në rrethe, duhet të zbatojnë të gjitha masat dhe rekomandimet e deritanishme të ekspertëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat