Hotelet në Tiranë kërkojnë përjashtimin nga taksa, reagon Veliaj

Tirana

Hotelet në Tiranë kërkojnë përjashtimin nga taksa, reagon Veliaj

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 07:18
Tiranë

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që strukturat akomoduese në kryeqytet të mos paguajnë taksën e ndërtesës në bashki për vitin 2020, pasi ato po shfrytëzojnë vetëm rreth 10% të kapacitetit.

Në një letër zyrtare Shoqata njofton se prej disa muajsh, për shkak të pandemisë së zgjatur COVID-19 dhe mbivendosjes së saj me situatën që krijoi tërmeti i 26/11/2019, gjendja e industrisë Turistike & Udhëtimeve, po vjen duke u përkeqësuar.

Pas publikimit të lajmit nga Euronews Albania, kryebashkiaku Veliaj reagoi në Twitter ku tha se i dëgjonte shqetësimet e sektorit.

"Shqetësimet e tyre janë legjitime, veçanërisht për hotelet në Tiranë që nuk patën fluksin e atyre në bregdet. Do të përpiqemi realisht të përmbushim kërkesat e tyre," tha kryebashkiaku i Tiranës.

Hotelet po punojnë me kapacitete të reduktuara, kryesisht në fundjavë, çmimet janë deri 40% më të lira, duke vënë në vështirësi mbijetesën dhe pagat e  punonjësve.

Serioze paraqitet gjendja me punonjësit e industrisë. Më shumë se gjysma janë pa punë. Kjo situatë është e njëjtë edhe në vendet e BE-së, që u goditën nga COVID, por në këto shtete industria turistike ka qenë më e mbështetura dhe me e stimuluara, si Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj., kanë lançuar Paketën e Tretë, ku turizmi merr vëmendje maksimale. 

Kredia për Pagat dhe Kredia Sovrane nuk ndihmuan këtë industri për kushtet specifike që ka ky sektor, - thuhet ndër të tjera në letrën e shoqatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat