150 familje, në shtëpi të re/ Veliaj: Para ardhjes së Vitit të Ri, do të strehohen

Tirana

150 familje, në shtëpi të re/ Veliaj: Para ardhjes së Vitit të Ri, do të strehohen

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 16:14
Erion Veliaj

150 familje të tjera do ta festojnë mbrëmjen e ndërrimit të viteve në banesën e re.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u dorëzoi sot dokumentet e pronësisë së banesave të rindërtuara familjeve të Qani Merepezës, Ibrahim Myrtës dhe Rifat Myrtës në Pezë.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, 2021 do të jetë viti i rimëkëmbjes, si për banesat, ashtu edhe për shkollat e reja.

“Para ardhjes së Vitit të Ri do të strehojmë edhe 150 familje të tjera, ndërsa që në ditët e para të janarit nisim punën për lotet e tjera. Viti 2021 do të jetë viti i rimëkëmbjes! Së bashku me qeverinë dhe ministrin e Rindërtimit do të vazhdojmë ringritjen me pallatet dhe shtëpitë, por do të përfundojmë edhe shumë nga shkollat. Kemi hedhur themelet për gjimnazin “Sami Frashëri” dhe shkollën në Mangull, por kemi përfunduar shkollat në Lalm dhe Allgjatë. Do të vazhdojmë me shkollat e ndërmjetësuara nga qeveria me qeverinë e Katarit dhe Sllovakisë, siç është shkolla e Pezë Helmesit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se gjatë procesit të rindërtimi nuk është paragjykuar askush për bindjet e tij politike, por u është shërbyer të gjithëve njësoj. Veliaj siguroi se puna nuk do të ndalet, kurse lagjet e reja do të ofrojnë kushte më të mira për familjet e prekura nga tërmeti.

“Kush punon, merr edhe kritika. Kush nuk punon dhe fle, kush ankohet dhe mundohet të përçajë njerëzit, sigurisht që nuk ka duk, as produkt. Ndaj, ne do të fokusohemi te puna. Lagjet në periferi do të jenë të unifikuara, siç është lagjja në Pezë të Madhe, më afër njësisë; po ashtu edhe në Vaqarr dhe Baldushk, i afrojmë familjet te qendrat shëndetësore, pranë shkollës dhe kopshtit, për t’u siguruar që kjo fatkeqësi është edhe një mundësi për t’i bërë gjërat ndryshe”, u shpreh Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat