Vjedhja e mjeteve motorike në Tiranë, shqetësuese

Tirana

Vjedhja e mjeteve motorike në Tiranë, shqetësuese

Më: 3 janar 2021 Në ora: 13:12
Foto ilustrim

Rastet e vjedhjeve të mjeteve motorike dhe biçikletave vijojnë të jenë shqetësuese në kryeqytet pavarësisht se përgjatë vitit që lamë pas u regjistrua një numër më i ulët se në 2019. Problematike mbetet përdorimi i makinave të vjedhura në ngjarje kriminale, ndërsa shqetësim është dhe numri i ulët i rasteve të zbuluara. Për këtë blutë shprehen se kanë patur vështirësi për shkak të angazhimit me situatën e pandemisë.

Situata e krijuar nga pandemia dhe izolimi ka ndikuar në uljen e veprave penale të regjistruara, mes të cilave dhe vjedhja e mjeteve motorike dhe biçikletave.

Përgjatë 11 muajve të 2020, në policinë e Tiranës janë denoncuar 49 automjete të vjedhura, ndër të cilët policia ka zbardhur vetëm 9 prej tyre me 4 autorë.

Katër prej tyre janë arrestuar, dy të tjerë proceduar në gjendje të lirë si dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.

Për të njëjtën periudhë të vitit burime nga policia bëjnë me dije se janë kryer 108 vjedhje automjetesh nga të cilat janë zbuluar vetëm 21 prej tyre me 30 autorë në total.

Pavarësisht numrit më të ulët krahasuar me 2019, mbetet shqetësuese pasi në shumë vrasje janë përdorur automjetet e vjedhura, të cilat më pas janë djegur.

Madje në disa raste të tjerë blutë dyshojnë se është përdorur i njëjti mjet në vrasje dhe qytete të ndryshme.

Numri i ulët i ngjarjeve të zbardhura sipas policisë lidhet me angazhimin e efektivëve në zbatimin e masave anti-Covid.

Efektivët bëjnë me dije se përgjatë vitit është vështirësuar puna, pasi pothuajse gjithë punonjësit përfshirë dhe ata të policisë kriminale janë angazhuar për zbatimin e kufizimeve nga qytetarët, apo dhe kontrollet për mbajtjen e maskave.

Situatë shqetësuese mbetet dhe vjedhja e biçikletave, ku përgjatë vitit të shkuar u denoncuan 160 raste të tilla.

Blutë për këto raste kanë identifikuar 163 autorë, nga të cilët 26 janë arrestuar, 30 të shpallur në kërkim ndërsa të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia e kryeqytetit evidenton operacionin “Vjeshta” nga komisariati nr.3 ku u arrestuan dy vëllezër, të cilëve iu sekuestruan 66 biçikleta të modeleve të ndryshme.

Këta të fundit u vodhën në vende dhe kohë të ndryshme në kryeqytet.

Vjedhjet:

Në 2020 – 59 makina dhe 160 biçikleta

Në 2019 – u denoncuan 108 makina

Gjatë dy viteve u zbuluan 30 raste

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat