Veliaj i dhuron “Kullën e Sahatit” Ambasadorit të ri të Japonisë, Mitsuyuki

Tirana

Veliaj i dhuron “Kullën e Sahatit” Ambasadorit të ri të Japonisë, Mitsuyuki

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 17:37
Foto nga takimi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim ambasadorin e ri të Japonisë në Tiranë, SH.T.Z Takada Mitsuyuki, të cilit i dhuroi “Kullën e Sahatit”. Veliaj tha se bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve shton mundësitë për investime japoneze në Tiranë.

“Ambasadori vjen si një ish-ekzekutiv i kompanisë së njohur “Mitsubishi”. Nuk ka shqiptar që nuk e njeh “Mitsubishin”, prandaj në Tiranë kemi një ambasador diplomat, por edhe një ekzekutiv biznesi. Shpresa jonë është që, projektin e filluar në periferi të Tiranës, në zonën e Kodër-Kamzës, me “Sumimoto”-n, ta kemi si dallëndyshen e parë të shumë kompanive japoneze që do të vijnë në Shqipëri”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ambasadori Mitsuyuki vlerësoi kryebashkiakun për punën e bërë, duke i premtuar atij bashkëpunim, për të mirën e Tiranës.

“Do të ftoj më shumë investitorë nga Japonia në Tiranë, nën lidershipin tuaj të fortë, si një kryebashkiak i shkëlqyer që jeni, dhe jam i sigurt se Tirana do të zhvillohet edhe më shumë, edhe më shpejt. Do mundohem të bëj më të mirën, në bashkëpunim me kryebashkiakun”, tha ai.

Në qendër të bisedimeve mes tyre ishin edhe tre projekte të rëndësishme, si zona e lirë ekonomike apo impianti i pastrimit të ujërave të zeza në Tiranë.

“Një nga idetë është që, zona e lirë ekonomike, e cila po licencohet nga qeveria shqiptare, me operator Bashkinë e Tiranës, të shërbejë si urë bashkëpunimi me kompani prestigjioze japoneze, për rritjen e punësimit. Folëm gjithashtu edhe për lojërat olimpike, për të planifikuar që ekipi ynë olimpik të shkojë më herët në Japoni, për t’u stërvitur. Së treti, diskutuam edhe për ndërtimin e një impianti në Kombinat, për pastrimin e ujërave të zeza të Tiranës”, përfundoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat