Policia me dorë të hekurt për “maskat”, kontrolle të shtuara në rrugët e Tiranës

Tirana

Policia me dorë të hekurt për “maskat”, kontrolle të shtuara në rrugët e Tiranës

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 16:58
Tirana

Rritja e numrit të personave të infektuar ka detyruar policinë të ndërmarrë masa shtesë për të rritur kontrollet e zbatimit të masave anti-Covid. Efektivët e policisë janë udhëzuar të mos tolerojnë asnjë qytetarë që nuk zbaton këtë masë parandaluese, ndërsa vetëm ditët e fundit janë ndëshkuar mbi 3 mijë qytetarë.

Rritja e numrit të personave të prekur me Covid ka bërë që policia të shtojë kontrollet lidhur me zbatimin e mbajtjes së maskave kundër përhapjes së virusit.

Kryeqytetasit janë përballur këtë të mërkurë me kontrolle të shtuara nga policia e rendit, të cilët kanë nisur ndëshkimet ndaj atyre që nuk zbatojnë protokollin

Direktivat e reja të policisë janë që asnjë qytetarë të mos tolerohet në mbajtjen e maskave.

Blutë janë urdhëruar që të patrullojnë në rrugë të ndryshme, kryesisht ku ka lëvizje të shtuara të qytetarëve.

Në ndihmë të forcave të rendit do të jenë dhe policia rrugore, dhe reparti Shqiponja, por nuk përjashtohet mundësia që të zbarkojnë dhe efektivë të policisë kriminale.

Efektivët e policisë bëjnë me dije se nuk do tolerohen as baret dhe restorantet që nuk zbatojnë protokollet apo orarin e ri kufizues, orën 20:00.

Vetëm gjatë ditëve të fundit janë vendosur mbi 3 mijë gjoba në të gjithë vendin, ndërsa prej 15 tetorit kur ka hyrë në fuqi urdhri detyrues për mbajtjen e maskës, janë ndëshkuar mbi 60 mijë shtetas.

Ndërkohë këtë muaj ka nisur dhe vjelja e gjobave të para. Sipas burimeve nga OSHEE mësohet se do paguhen 1200 faturat e para, ndërkohë që 17 500 janë kthyer pas për shkak se të ndëshkuarit nuk figurojnë të kenë kontratë me OSHEE-në apo kanë pasaktësi të dhënash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat