Kryeprokurorja e Tiranës kalon Vettingun

Tirana

Kryeprokurorja e Tiranës kalon Vettingun

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 13:59
Elisabeta Imeraj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardh vendimin e plotë për vlerësimin pozitiv ndaj kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, pas kontrollit të të tre shkallëve të vlerësimit për kriterin e pasurisë, të figurës dhe atë profesional.

Në materialin e disponuar në vendimin e marrë rezulton se janë rrëzuar pretendimet për përgjim të vëzhguesit dhe  ndikim në KPK, për mungesë provash, çdo gjë bazohet tek letra anonime.

Vendimi i dhënë prej 112 faqesh gjithsej, trupa që konfirmoi në detyrë prokuroren argumenton: Komisioni pas shqyrtimit të plotë nuk konstatoi shkelje të kryera nga subjekti i rivlerësimit në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi. Nga asnjë institucion ligjzbatues nuk rezultoi asnjë lloj e dhënë, prove apo indicie që të lidhë subjektin me pretendimin e ngritur. Burimi i provës është denoncimi i paraqitur nga Rrahim Shehu. Nuk ka asnjë fotografi, apo përgjim të jete paraqitur si provë në Komision.

Pretendimi për përgjime të vëzhguesve ndërkombëtarë u ngrit para KPK-së, nga Theo Jacobs, i vëzhguesi i Operacionit  Ndërkombëtar të Monitorimit. Ai pretendoi se  Hans Kijlstra – tashmë i larguar nga ONM, i kishte lënë në dorë disa vëzhgime bashkë me informacionin e siguruar nga dy burime, një shqiptar dhe një i huaj, ku  Imeraj kishte vënë njerëz ta ndiqnin dhe ta fotografonin, përfshirë pretendimin se kishin foto kompromentuese ndaj tij. Një ndër pretendimet e tjera të ngritura ndaj kryeprokurores së Tiranës ishte edhe për ndikimin ndaj trupës së gjyqtarëve të KPK-së

Por edhe ky pretendim nuk rezultoi në asnjë provë nga ana e trupës së KPK-së, së përbërë nga Olsi Komici, kryesuese dhe dy anëtarët Suela Zhegu Roland Ilia. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një organ i krijuar me Kushtetutë dhe ligj, për të bërë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Kushtetuta dhe ligji kanë dhënë mundësinë që një organ i tillë, e për pasojë dhe çdo trupë gjykuese që merr në shqyrtim një çështje, për çdo subjekt rivlerësimi të ketë pavarësinë në dhënien e çdo vendimi. Çdo veprim i Komisionerëve gjatë ushtrimit të detyrës ka në bazë të veprimtarisë së tij paanësinë objektivitetin dhe përgjegjshmërinë. Edhe në rastin e komisioneres së dorëhequr, qëndrimi i shprehur prej saj në formë të shkruar, si dhe qëndrimi i mbajtur prej saj, gjatë pyetjeve të bëra për arsyet e heqjes dorë, e lidhin kërkesën për heqjen dorë, me faktin se komisionerja e ka humbur elementin thelbësor në vendimmarrje ‘të qenurit objektiv’, për procedurën e rivlerësimit të subjektit E.I”, thuhet në vendimin e KPK-së, i marrë me një 1 prill të këtij viti.

Në lidhje me dorëheqjen e anëtares Çiftja, KPK thekson se nuk rezulton asnjë asnjë indicie apo e dhënë që të lidhin subjektin e rivlerësimit për këtë akt.

“Kjo nënkupton një perceptim të brendshëm të komisioneres që ka kërkuar të heqë dorë nga çështja, duke mos pranuar asnjë situatë faktike që mund të çonte komisioneren në ndërmarrjen e hapave ligjorë, për ndjekjen e rastit sipas legjislacionit penal në fuqi. Nga ana tjetër, nuk rezulton asnjë e dhënë, apo indice që të lidhin subjektin e rivlerësimit me veprime konkrete të kryera prej saj, në drejtim të kërkesës për heqje dorë, nga komisionerja. Komisioni çmon se shprehja e përdorur nga Komisioneria e dorëhequr E.Ç, se ‘Subjekti i Rivlerësimit, është e shqetësuar në lidhje me procesin e rivlerësimit’, nuk mundet të penalizojë këtë të fundit, për një situatë subjektive te pashprehur direkt nga Subjekti. Nga ana tjetër, nuk rezultoi që Subjekti të këtë bërë ndonjë kërkesë për përjashtimin e komisioneres, çfarë do të shërbente për të provuar vullnetin e Subjektit të Rivlerësimit. Vlen të theksojmë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji japin garanci të plota, se organet e Vettingut janë të pavarura dhe në vendimmarrjet e tyre i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi”, thuhet në këtë vendim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat