Veliaj i jep tender kompanisë që falsifikoi dokumentet, procedura u mbajt hapur vetëm 22 orë

Tirana

Veliaj i jep tender kompanisë që falsifikoi dokumentet, procedura u mbajt hapur vetëm 22 orë

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 15:34
Erion Veliaj

Tenderi i pastrimit të zonës 2 në kryeqytet, i fituar nga kompania “Korsel” SHPK pasi qëndroi hapur vetëm 22 orë, ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Bëhet fjalë për pastrimin e një zone të kryeqytetit me fond limit 49.7 milionë lekë. Tenderi rezulton të jetë hapur në datën 21 qershor në orën 14:00 dhe është mbyllur vetëm një ditë më pas në orën 12:00.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj e ka nënshkruar kontratën përmes negocimit me subjektin "Korsel SHPK që kishte paraqitur ofertën prej 49.4 milionë lekësh.

Sipas  dokumenteve në garë mori pjesë edhe një subjekt tjetër që më pas u përjashtua për mosplotësim të kritereve të veçanta.

Por kjo mënyrë e nënshkrimit të kontratës ka sjellë pakënaqësi tek operatori "Rej" SHPK i cili ka dorëzuar ankesë pranë KPP-së duke kundërshtuar zhvillimin e procedurës me pretendimin se e ka pasur të pamundur të marrë pjesë sepse në rastin e procedurave me negocim është autoriteti kontraktor që zgjedh se cilën kompani do të ftojë.

Ankimimi nuk është marrë në shqyrtim dhe është hedhur poshtë nga KPP me argumentin se subjekti "Rej" SHPK nuk ka respektuar afatet dhe nuk ka paraqitur fillimisht ankesë pranë Bashkisë Tiranë.

Operatori "Korsel" SHPK në pronësi të Maksim Fejzulla rezulton se ka fituar edhe një tjetër tender në bashkinë e kryeqytetit.

Pak kohë më parë Komisioni i Prokurimit Publik anuloi një tjetër vendim të institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj i cili i jepte kompanisë "Korsel" SHPK rreth 549 milionë lekë.

Komisioni gjykoi në fund se ky subjekt kishte falsifikuar dokumentet në procedurën ku kishte marrë pjesë dhe duhej skualifikuar nga gara.

Edhe pas këtij rasti, bashkia e Tiranës i besoi kësaj kompanie një tjetër tender, për pastrimin e zonës 2 që në fakt për të njëjtin qëllim rezulton të jetë dhënë edhe një fond prej 33.6 milionë lekësh në mars të këtij viti, po të njëjtit subjekt, "Korsel" SHPK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat