Tiranë: Minimumi jetik studiohet dhe publikohet nga Avokati i Popullit

Tirana

Tiranë: Minimumi jetik studiohet dhe publikohet nga Avokati i Popullit

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 23:40
Totozani

Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe Avokati i Popullit publikuan sot studimin “Minimumi Jetik në Shqipëri”, sipas të cilit ai është 16,000 lekë në muaj për person.

Studimi u bazua tek çmimet e shportës ushqimore dhe shpenzimet e tjera joushqimore, që shkojnë afro gjysmë për gjysmë.

Afro 7 mijë lekë i nevojiten çdo personi për ushqime dhe afro 9 mijë lekë për shpenzime të tjera joushqimore, për të siguruar jetesën minimale, bazuar në kriteret shkencore të varfërisë absolute.

Studimi i një grupi të gjerë autorësh gjeti se minimumi jetik në Shqipëri është më i lartë se pensioni minimal, më i lartë se sa ndihma ekonomike, pagesat e paaftësisë dhe papunësisë.

Të gjitha këto grupime shoqërore jetojnë të pasigurt ekonomikisht, sepse këto pagesa nuk janë përcaktuar nga ndonjë studim mbi kufirin e varfërisë.

“Niveli i pensioneve është i vendosur me ligj, niveli i pagës minimale, ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë dhe paaftësisë përcaktohen me vendim qeverie, por asnjëri prej tyre nuk bazohet në treguesin e minimumit jetik” - thotë Igli Totozani, Avokati i Popullit.

Studiuesit vërejnë se llogaritja dhe njohja zyrtare e minimumit jetik pritet të përmirësojë jetesën e shtresave më të varfëra të shoqërisë.

Minimumi jetik 16,000 lekë në muaj është shuma minimale e parave, që i duhet në Shqipëri një shtetasi për të siguruar një nivel jetese bazë.

Kjo shifër, pohojnë studiuesit, duhet të shërbejë si pikë referuese për të llogaritur minimumin jetik për një të punësuar dhe për një familje.

Vlera e minimumit jetik shërben që të llogariten pagat, pensionet, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë, bashkangjitur numrin e pjesëtarëve të familjes, fëmijë dhe të rritur.

“Studimi i minimumit jetik u krye në një kohë që varfëria e shqiptarëve nuk po mbështetet më aq fuqishëm sa vitet e kaluara nga paratë e emigrantëve, ose siç quhen, nga remitancat, të cilat kanë rënë” - thotë Zef Preçi, autor i studimit dhe drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

Me këtë studim, Avokati i Popullit tha se individëve u duhet siguruar një jetesë në standard të arsyeshëm, e cila bën pjesë tek të drejtat njerëzore; si jeta, strehimi, shkollimi, apo ushqimi.

Sa më shpejt të sigurohet minimumi jetik aq më shpejt mund të arrihet tek një standard jetese të arsyeshme dhe me dinjitet njerëzor.

Studiuesit rekomanduan që në vitet e ardhshme pagat, ndihmat ekonomike dhe pensionet minimale duhet të përcaktohen mbi kufirin e minimumit jetik, i cili duhet forcuar me ligje të reja.

Ata propozuan që shteti, punëdhënësit, sindikatat dhe punëtorët duhet t'i mbështettin studimet e projektet e tyre, pagat dhe cdo detyrim tjetër mbi të dhënat e minimumit jetik përtej të cilës qytetari humb fuqinë dhe dinjitetin njerëzor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat