Kujdes nga hajdutët e banesave në Tiranë, ja si kamuflohen

Tirana

Kujdes nga hajdutët e banesave në Tiranë, ja si kamuflohen

Më: 8 nëntor 2016 Në ora: 16:49
Ilustrim

Një i ri është autor i disa vjedhjeve të banesave në kryeqytet. Për të relizuar vjedhjet ai ndihmohej edhe nga persona të tjerë, ndërsa në këtë rast, ai duket teksa zbret nga tarraca e një pallati në zonën '21 Dhjetorit' për të kryer vjedhjen e radhës.

Ndonëse në juridiksionin e komisariatit nr.2 të Tiranës, nga 55 vjedhje banesash për këtë vit janë zbuluar 45 raste apo e thenë ndryshe 80 përqind, ky problem vijon të mbetet një fenomen shqetësues.

“Konstatojmë se janë kontigjent përsëritës dhe  shëtitës. Ky kontigjent ka tendenca në vjedhjet e banesave. Objekt i vjedhjeve janë pallatet e reja shumëkatëshe”, thotë për Top Channel Jorida Babameto, specialiste për hetimin e krimeve në Komisariatin nr.2.

Kamuflimet e hajdutëve janë nga më të ndryshmet, ku shtiren edhe si shpërndarës fletushkash reklamimi, për të parë nëse në banesë ka njeri. 

“Konstatojmë se vjedhjet kryhen në ato banesa ku bravat e dyerve nuk janë të sigurta duke ja bërë më të lehtë keqberësve hapjen e tyre me ca karta të thjeshta”, thotë Babameto.

Zonat me të nxehta sa i përket vjedhjeve të banesave konsiderohen Tirana e Re, 21 Dhjetori , ish-Parku dhe ish-Blloku, kjo për shkak të lëvizjeve të qytetarëve dhe grumbullimit të vazhdueshëm gjatë fundjavave dhe në ditë festash. 

Në disa raste janë konstatuar edhe përdorimi i çelsave të quajtur “kopil”. Por krahas vjedhjes së banesave problem mbeten edhe vjedhjet e tjera, si vjedhja me thyerje e automjeteve.

Në Komisariatin nr.2, ndër më kryesorët në kryeqytet për shkak të territorit që mbulon, për këtë vit janë evidentuar 196 vepra penale të vjedhjes nga të cilat janë zbuluar 136 raste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat