Tirana do të ketë Kryebashkiakun e saj të Natës, ja roli i tij

Tirana

Tirana do të ketë Kryebashkiakun e saj të Natës, ja roli i tij

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 12:34
Erion Veliaj

Siç ndodh në disa kryeqytete të botës, edhe Tirana nga muaji i janarit 2017 pritet të ketë një person përgjegjës që do të quhet kryebashkiaku i Natës.

Kjo është një mundësi për të promovuar mundësitë që ofron kryeqyteti, jo vetëm gjatë ditës, por edhe në orët e natës.

“Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh. Promovon ekonominë, e cila njihet si ekonomia e turnit të tretë, për t’u siguruar që jo vetëm qyteti jeton 24 orë, por për t’u siguruar gjithashtu për sa më shumë punësime e sa më shumë maksimizojmë orët e ditës dhe hapësirat e qytetit për ekonominë e njerëzve tanë dhe të rinjve që jetojnë në Tiranë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Kryebashkaiku vizitoi një nga 22 kompanitë që drejtohen nga gra dhe që janë financuar.

Nga Fondi për Gratë Sipërmarrëse, si një nismë e Aleancës së Grave të Këshillit Bashkiak, për të cilin për herë të parë Bashkia Tiranë miratoi një fond 6 milion lek për mbështetjen e sipërmarrëseve gra nga 18 deri në 60 vjeç.

“Do të vazhdojmë jo vetëm në 22 kompanitë e para, por edhe me mbështetjen e të rinjve. Do të hapim edhe një garë tjetër, e cila deri në fund të muajit pret konkurrente, biznese që kanë filluar nga të rinjtë, pra start-up-et, dhe besoj se duke vendosur bashkinë në krah të njerëzve të punës, shtojmë fuqinë që këto kompani shpenzojnë dhe aktivitete që gjenerojnë për qytetin tonë”, tha kryetari i bashkisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat