UKT, investime për rrjetin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrugën e “Kavajës”

Tirana

UKT, investime për rrjetin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrugën e “Kavajës”

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 12:20
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Zona që përshkon rruga e “Kavajës”, nga “21 Dhjetori” deri te “Pallati me Shigjeta”,e cila prek Njësitë Administrative Nr.5 dhe 7, do të ketë shumë shpejt një rrjet të ri kanalizimesh të ujërave të zeza dhe të bardha. Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës – Kanalizime Tiranë kanë nisur zbatimin në terren të një prej projekteve më të rëndësishme, që synon të shmangë problematikat e përmbytjeve, por edhe të ujërave të zeza, që shpesh herë janë bërë shqetësim për banorët e zonës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se me këtë investim do t’i jepet zgjidhje një problemi gati 20 vjeçar, sidomos për periudhat e shirave.

Kryebashkiaku tha se investimi që po kryhet është projektuar me kapacitete e cilësi qët’i rezistojë kohës dhe zhvillimit të mëtejshëm të Tiranës. Veliaj bëri të ditur se investimet e Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së do të vazhdojnë edhe më tej, për të bërë të mundur rritjen e cilësisë dhe kohës së furnizimit me ujë të qytetarëve.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që të telefonojnë në numrin e gjelbër pa pagesë të UKT-së, 0800-44-88, për të sinjalizuar UKT-në për çdo problematikë që kanë me rrjetin e furnizimit me ujë dhe atë të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha.

Investimi i sistemit të ri të kanalizimeve në zonën e Rrugës së Kavajës, ka për qëllim të zhbllokojë situatën e krijuar në vite, ku sistemi aktual funksionon pjesërisht dhe jep vazhdimisht probleme që çojnë në përmbytje edhe bllokime. Përveç amortizimit gjatë 25 viteve të fundit, në këtë zonë janë ndërtuar disa blloqe objektesh banimi shumëkateshe, të cilat e kanë rënduar punën normale të këtij kolektori.

Për të gjithë zonën, janë bërë matje dhe studime të thelluara, për të siguruar një rrjet kanalizimesh që t’i rezistojë kohës edhe me rritjen e mundshme të popullsisë në vazhdim. Rrjeti i ri i kanalizimeve përfshin një sipërfaqe prej 54 hektarë dhe ka një gjatësi 1039 metra linear. Sistemi i ri i kanalizimeve do të bëjë rrjedhjen normale në Lanë të ujrave të përdorur të të gjithë zonës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat