Bashkia e Tiranës hap tregun e shpendëve të gjalla në Baldushk

Tirana

Bashkia e Tiranës hap tregun e shpendëve të gjalla në Baldushk

Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 15:12
Hapja e tregut

Nënkryetari Seferi: “Tregu me standarde për të siguruar shëndetin e qytetarëve, jo më shitje në rrugë e shpendëve”

Për të dytin vit radhazi, në prag të festave të fundvitit, qytetarët e Tiranës kanë mundësi që të blejnë produkte të sigurta në tregun e posaçëm të shpendëve i hapur në Baldushk. Teksa inspektuan kushtet dhe higjienën e tregut, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi  dhe Drejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudina Hoxha u shprehën se Bashkia e Tiranës u garantuar të gjithë qytetarëve sigurinë ushqimore në tregun e gjësë së gjallë në Baldushk.

“Duke filluar nga sot, hapim sërish tregun e shpendëve të gjalla në Njësinë Administrative të Baldushkut. Bashkia e Tiranës është e vendosur që edhe këtë vit të krijojë kushtet e nevojshme të tregtimit të shpendëve për qytetarët. Është e papranueshme që simboli i tavolinave të qytetarëve të Tiranës për festat e fundvitit, të shitet pranë koshave të mbeturinave, në çdo cep pallati dhe në mënyrë të pakontrolluar”, tha Seferi. Nënkryetari shtoi se të gjitha strukturat e bashkisë kanë ngritur grupet e punës për të mundësuar shitjen e kontrolluar të këtyre produkteve.

“Jemi shumë të vendosur që edhe ky treg, jo vetëm të promovohet, por të mbulohet nga të gjitha strukturat e Bashkisë Tiranë. Tregu i Baldushkut tashmë, njihet prej shumë e shumë vitesh si zona më me traditë në rritjen e gjelit të detit dhe pikërisht për këtë arsye, ky treg është vendosur në këtë zonë. Por, nga ana tjetër, bëhet jo vetëm promovimi i gjelave të detit, që tashmë është një “patentë” që e ka zona e Baldushkut, por bëhet edhe një kontroll i të gjitha shpendëve që do të shiten në këtë treg”, tha Seferi.

Drejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudina Hoxha, theksoi se nisur dhe nga suksesi i vitit të kaluar, edhe këtë vit, përmes këtij tregu të posaçëm qytetarët do të kenë mundësi që të blejnë gjelin e detit brenda kushteve dhe standardeve. “AMK, nëpërmjet sektorit të kontrollit të tregjeve dhe sektorit veterinar, do të jetë çdo ditë, që në orët e para të mëngjesit, e pranishme në këtë treg për të kontrolluar dhe monitoruar, sidomos në afrimin e pikut, çmimin për gjelat që ai të mos rritet. Nga ana tjetër, veterinerët, nëpërmjet kontrollit, do të shohin vendin e origjinës së këtyre shpendëve dhe gjithashtu, për të kryer të gjitha procedurat e tyre veterinare”, tha Hoxha.

Administratori i zonës së Baldushkut, Ilir Bermeta, vlerësoi këtë nismë të Bashkisë së Tiranës për t’i kthyer dinjitetin të gjithë kësaj zone, që ishte lënë për shumë vite në harresë. Bermeta ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që në tavolinën e tyre në natën e Vitit të Ri të konsumojnë produkte të zonës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat