Firma private prish kabllin, lë pa drita 30 fshatra në Tiranë dhe vilat qeveritare

Tirana

Firma private prish kabllin, lë pa drita 30 fshatra në Tiranë dhe vilat qeveritare

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 12:57
Ilustrim

Një firmë private ka dëmtuar sot rrjetin elektrik në Tiranë duke lënë pa energji gati 30 fshatra dhe OSHEE-ja ka ngritur ndaj saj një padi. Rreth orës 9.00, firma private B93 dëmtoi kabllin 35 kV të linjës L30-1 Kinostudio - Lanabregas kur po punonte për llogari të ujësjellësit, pranë Fizikës Bërthamore, duke nxjerrë jashtë pune dy nënstacione, atë të Lanabregasit dhe atë të Qafë-Mollës.

Si pasojë e këtij dëmtimi mbetën pa energji për rreth 3 orë, rreth 40 mijë banorë të 30 fshatrave te Tiranës, si Lanabregas, Bregas, Linzë, Linzë Deli, Surrel, Priskë, Fushë Farkë, etj, antenat e televizioneve ne Dajt, Vilat Qeveritare në Dajt, etj, si dhe subjekte të private si Teleferiku etj.

Kryenxhinieri i Drejtorisë së Tensionit të Lartë për Tiranën, Egert Mema tha për mediat se pas konstatimit të dëmit, OSHEE ka thirrur policinë, për hetimin e ngjarjes dhe mbledhjen e provave.

"Ky është rasti i 15 për muajin dhjetor vetëm në Tiranë, pra mesatarisht çdo ditë nga një dëmtim. Kompania ka punuar jashtë rregullave të kushteve teknike, pa marrë azhornimet dhe kodet e rrjetit nga OSHEE. Abonentët po marrin energji nga linjat e tjera unazore".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat