Veliaj: Më shumë investime në periferi të Tiranës

Tirana

Veliaj: Më shumë investime në periferi të Tiranës

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 11:58
Bashkia e Tiranës vijon me investimet në Pezë, ndërtohet rruga e re Maknor-Kolje-Ledhë

Bashkia e Tiranës vijon investimet edhe në periferi të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Artan Gaçi, inspektoi rrugën Maknor-Kolje-Ledhë në Pezë, e cila shumë shpejt do të ketë cilësi dhe standarde të njëjta me rrugët e tjera të kryeqytetit.

Veliaj deklaroi se ambicja e bashkisë është përmirësimi i plotë i infrastrukturës në të tre lagjet kryesore të zonës.

“Për disa është fundi i vitit, për Bashkinë e Tiranës çdo ditë është një fillim i ri dhe një mundësi për të bërë disa gjëra për së mbari. Ambicja jonë është të transformojmë infrastrukturën në tre lagjet kryesore të Pezës, në Maknor, në Ledhë dhe në Kolje, si dhe projektin ta mbyllim jo për 6 muaj sa është projekti, por për 3 muaj, duke u siguruar që pranvera të na gjejë të sistemuar, me rrugë të reja, kanalizime, ndriçim e sinjalistikë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se këto investime vijnë si rrjedhojë e mirëmenaxhimit të financave, ndërsa u shpreh optimist se ndërhyrjet do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët, por edhe në rritjen e vlerës së pronës.

“Disa investime do të ishin të pamundura me të ardhurat e komunës, kurse sot bëhet i mundur falë një menaxhimi më të mirë të financave të Bashkisë së Tiranës, çka na lejon të investojmë në disa zona, të cilat më parë cilësoheshin si periferike. Kjo është një njësi administrative e varfër, por shpresoj që infrastruktura e re do të tërheqë biznese, do i shtojë vlerën pronës këtu, do tërheqë njerëz në një zonë shumë herë më të urbanizuar, me ajër të pastër, me produkte vendi, siç është zona e Pezës”, tha ai, teksa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për realizimin e projekteve.

Kreu i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të konsumojnë produktet cilësore të zonës, duke ndikuar pozitivisht edhe në ekonominë vendase.

“Konsumoni produkte vendase, që rriten në Tiranë, në mënyrë që paratë të mbeten në ekonominë tonë, brenda vendit. Kjo është një nga zonat që prodhon; Ndroqi bën vaj shumë të mirë, Lundra bën verë shumë të mirë, Baldushku bën gjelat e detit. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se fuqinë ekonomike e kemi vetë në dorë”, tha Veliaj.

Deputeti i PS, Artan Gaçi, vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të investuar edhe në zonat që janë në periferi të qytetit. Ai shprehu bindjen se me këto ritme, Tirana do të pësojë një ndryshim të madh brenda mandatit të parë.

“Jemi shumë optimist që me këtë mënyrë të punuari dhe rezultate brenda mandatit të parë do të ketë një ndryshim shumë të madh në të gjithë rrethin e Tiranës”, tha Veliaj.

Rruga e re parashikon edhe ndërtimin e sistemit të plotë të rrjetit të kanalizimeve për ujërat e zeza, pajisjen me sinjalistikë dhe me ndriçim.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat