Bashkia e Tiranës nis rikonstruksionin e rrugës së “Zallit”, Veliaj: Zgjidh problemin për 20 mijë banorë

Tirana

Bashkia e Tiranës nis rikonstruksionin e rrugës së “Zallit”, Veliaj: Zgjidh problemin për 20 mijë banorë

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 12:22
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

 Problemet disavjeçare të rreth 20 mijë banorëve të Selitës me rrugën me gropa, baltën dhe ujërat e zeza, do të marrin fund shumë shpejt. Bashkia e Tiranës ka nisur investimin për rikonstruksionin e plotë të rrugës së “Zallit” me një gjatësi 1.3 km në Njësinë 5, ku përveç shtrimit të saj do të ndërhyhet edhe në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha apo edhe sinjalistikë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se ky investim do ta integrojë edhe këtë pjesë informale të Tiranës me pjesën tjetër të qytetit, sa i përket infrastrukturës rrugore. Ky investim, tha ai, do të mundësojë lidhjen e kësaj lagje me Unazën e Madhe, e cila gjithashtu do të përfundojë brenda verës së ardhshme.

Veliaj i garantoi banorët se çdo taksë e tyre do të përkthehet në investim dhe se buxheti i ri i Bashkisë do jetë 10% më i madh dhe i gjithi i fokusuar në investime.

Shumë shpejt, tha ai, edhe në këtë zonë do të vendosen koshat e rinj të mbetjeve, në mënyrë që edhe kjo lagje t’i bashkohet pjesës tjetër të Tiranës me këtë shërbim të ri të ndarjes së mbetjeve në burim.

I pranishëm në takim deputeti i PS-së, Pandeli Majko, e konsideroi “të goditur” investimin e bashkisë për rikonstruksionin e rrugës “Zallit”, pasi hap një perspektivë, nga pikëpamja e infrastrukturës dhe jetesës. Po ashtu, investimi do të mundësoje dhe kanalizimin e të gjitha ujërave, gje qe do të shmange problemin kryesor që ka kjo zonë që janë përmbytjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat