Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes për njerëzit në nevojë

Tirana

Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes për njerëzit në nevojë

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 17:33
Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës ka zgjedhur të kalojë festën e Krishtlinjdes duke u shërbyer njerëzve në nevojë.

Mensat sociale të bashkisë kanë ofruar një drekë festive për të moshuarit dhe ata në nevojë që nuk kanë mundësi të festojnë si të gjithë të tjerët. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, bashkë me aktorin e humorit Bes Kallaku ishin në mensën sociale në Laprakë, ku shërbyen ushqimin për të pranishmit.

“Ju uroj gëzuar Krishtlindjet, një vit të mbarë, shumë suksese dhe gjithë të mirat. Dua të falenderoj të gjithë ata që shërbejnë në këtë mensë sociale. Unë edhe Besi kemi ardhur këtu sepse është ditë feste, por e di që këtu ka njerëz që shërbejnë çdo ditë me dashuri, pasion e përkushtim. Besoj që të gjithë duhet të mësojmë nga ata që shërbejnë këtu sepse Tirana ka nevojë për më shumë shërbëtorë dhe për më pak udhëheqës”, deklaroi Veliaj.

Duke folur për çfarë është bërë deri më tani në Tiranë, Veliaj vuri theksin për më shumë solidaritet: “Ky ka qenë një vit shumë i mirë për Tiranën, kemi bërë shumë punë të mira. Kemi bërë shkolla, kopshte, çerdhe, kemi më shumë infrastrukturë, kanalizime, ujësjellësa, kënde lodrash, por unë besoj se gjëja më e rëndësishme në Tiranë duhet të jetë solidariteti mes njerëzve. Ndaj dhe unë shpresoj që të gjithë ata që dëgjojnë për këtë qendër, të gjithë ata që kanë qenë përfshirë sot në aktivitete sociale, në dreka sociale që janë shtruar për të gjithë njerëzit në nevojë, të kenë parasysh se më shumë sesa infrastruktura, në një qytet kaq të madh, me kaq shumë probleme, kemi nevojë për më shumë solidaritet”.

Veliaj ftoi qytetarët t’i bashkohen nismave për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat