Urë e re, debat i vjetër. Bojaxhi: Objekti s’ka leje. Bashkia: E donin njerëzit

Tirana

Urë e re, debat i vjetër. Bojaxhi: Objekti s’ka leje. Bashkia: E donin njerëzit

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 20:33
Ura

Bashkia e Tiranës së fundmi ka vendosur një urë të re tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”, por një nga kritikët e disa projekteve të bashkisë, Gjergj Bojaxhi akuzon institucionin se nuk ka ndjekur procedurat ligjore për ndërtimin e saj dhe shumë projekteve të tjera në Tiranë.

“Duket sikur bashkia ka ndërtuar një sistem paralel, jashtë atij ligjor e administrativ ku ne paguajmë taksat tona. Dhe ne sot nuk dimë kush i financon këto projekte dhe përse nuk kalojnë procedurat e miratimit si çdo projekt tjetër që kërkojnë ligji dhe rregullat. Kjo urë është ndërtuar pa leje, nuk ka asnjë tabelë, asnjë lloj shenje. Nëse sot ligji do të zbatohej, Policia e Shtetit duhet të arrestonte ata që po ndërtonin këtë objekt”, deklaron Bojaxhi. 

Top Channel mori opinionin e disa banorëve dhe kalimtarëve aty. “Ndihemi të sigurt, se ura e vjetër është shumë e rrezikshme. Aty kanë kaluar edhe makina, kam parë një ‘Smart’”, thotë një prej tyre. 

Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës jo vetëm që hedh poshtë ate çka thotë Bojaxhi, por thotë se ndërtimi i këtij objekti ka qenë një kërkesë e komunitetit. 

“Ne kemi patur me qindra mijëra kërkesa nga qytetarët, të cilët thoshin se kishin nevojë për një urë të re. Nuk e gjej dot arsyen përse ka disa njerëz, politikanë të Saliut që nuk duan që gjërat në qytet të bëhen më mirë. Kjo është një urë e cila do ta bëjë më të thjeshtë e më të këndshme jetën e qytetarëve dhe është një dobi e madhe për qytetin”, thotë Arbjan Mazniku. 

Ura e vjetër, e amortizuar për shkak të kohës, përdorej shpesh herë edhe për kalimin e ndonjë automjeti mbi të. Pas inaugurimit të objektit të ri, ura e vjetër do të shembet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat