Ditët e fundit ka pasur një raportim të shtuar të ngacmimeve seksuale. Pikërisht një ditë më parë, policia ndaloi një punonjës të Gardës së Republikës, i cili kishte përndjekur, ngacmuar dhe bërë presion një vajze të re.
Ndërkaq ditën e sotme, policia ka bërë publike edhe 4 raste të tjera të ngacmimeve seksuale apo shqetësimeve në telefon.
Burime zyrtare nga uniformat blu të Tiranës kanë bërë të ditur se ka nisur hetimi për 32-vjeçarin me inicialet R. Ç., vjeç 32, nga Tirana, sepse dyshohet se ka përndjekur shtetasen Xh. E., vjeç 21, banuese në Tiranë.
Po sot është bërë e ditur se është vënë nën hetim 20-vjeçari me inicialet A. B., banues në Tiranë, sepse ka ndjekur dhe goditur me grusht 19-vjeçaren me inicialet F. Sh., banuese në Tiranë.
Ndërkaq, dy raste të tjera janë ngacmime dhe shqetësime me anë të telefonave. Pas një denoncimi kanë nisur hetimet për 37-vjeçarin me inicialet R. M., banues në Tiranë, sepse dyshohet se, nëpërmjet telefonit, ka shqetësuar 32-vjeçaren me inicialet E. T., po nga Tirana.
Ndërsa rasti më i fundit është ai i shqetësimeve me anë të telefonatave të një djali të ri nga ana e një 60-vjeçari. Burime nga policia kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet për 60-vjeçarin me inicialet H. T., pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit, ka shqetësuar 23-vjeçarin me inicialet E. T., po nga Tirana.
Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se për të gjitha këto raste kanë nisur hetimet dhe dosjet janë dërguar në prokurorinë e kryeqytetit.