Të dyshuarit/ Kujdes nga këta njerëz që lëvizin në Tiranë, ja se çfarë bëjnë

Tirana

Të dyshuarit/ Kujdes nga këta njerëz që lëvizin në Tiranë, ja se çfarë bëjnë

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 09:06
Ilustrim

Përveç rasteve të shumta të aksidenteve me pasoja të ndodhura gjatë këtij viti, Policisë Rrugore i duhet të merret edhe me ngjarje që janë të qëllimshme nga kalimtarë e motoçiklistë. Qëllimi i tyre duket se është përfitimi i siguracionit në raste aksidentesh. 

Deri tani, Policia Rrugore ka evidentuar 2 kalimtarë dhe një motoçiklist që nuk janë përfshirë aspak aksidentalisht në ngjarje të tilla dhe momentalisht kanë nisur hetimet. Me këtë rast, shërbimet e Qarkullimit kanë edhe një këshillë për drejtuesit e automjeteve, që të jenë më të kujdesshëm, pasi ka edhe kalimtarë të tillë, që u hidhen befas para makinave, vetëm e vetëm që të përfitojnë siguracion.

Madje, ka pasur edhe raste, të cilat ende nuk janë provuar, që disa aksidente të tilla janë shfrytëzuar nga familjarët e “të dëmtuarve”, për të përfituar para, shkruan “Panorama”.

Seksioni i Hetimit të Aksidenteve, në Policinë e Tiranës, po verifikon me imtësi ngjarje të tilla dhe pritet që të nisë edhe ndjekja penale për të dyshuarit. Burimet thanë se janë identifikuar dy persona, të cilët janë vënë në hetim pasi dyshohet se janë përfshirë me qëllim në aksidente.

Bëhet fjalë për një grua, rreth të 50-ave, e cila është përfshirë në aksidente të ngjashme të paktën 5 herë, në rrugën “Siri Kodra”. Ndërsa një tjetër rast, që ka ndodhur pranë Kryeministrisë, bën fjalë për një mashkull rreth 40 vjeç, i cili është shtrirë poshtë një taksie, e cila pasi lëvizi, i dëmtoi këmbët.

Sipas Policisë Rrugore, ky person, tashmë i identifikuar, është përfshirë në 4 aksidente të tilla gjatë këtij viti. Pikërisht koincidenca e përfshirjes së një personi disa herë në aksidente, ka bërë që Policia Rrugore të hedhë dyshime nëse bëhet fjalë vërtet për një ngjarje aksidentale, apo gjithçka ka qenë e qëllimshme.

Burimet thonë se në të gjitha rastet, në bazë të ekspertizës autoteknike rezulton se këta persona kanë qenë vetë shkaktarë të aksidenteve. Një skemë të ngjashme ka përdorur edhe një motoçiklist, i cili aksidentin e fundit e ka bërë pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, dhe sipas Policisë rezulton të jetë përfshirë edhe në disa aksidente të tjera. Për efektivët e Qarkullimit, nuk mund të jetë thjesht rastësi, që një person të aksidentohet disa herë brenda vitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat