Miratohet plani urbanistik për Tiranën, debate në Këshillin Bashkiak

Tirana

Miratohet plani urbanistik për Tiranën, debate në Këshillin Bashkiak

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 18:53
Pamje nga takimi

Është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, PS dhe LSI, pas 8 orë diskutimesh plani i përgjithshëm vendor Tirana 2030.

Këshilltarët e djathtë kundërshtuan miratimin e tij, çka bëri që mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak për këtë vit të niste me debate, pasi sipas tyre, hartimi i këtij plani  nuk ka pasur transparencën e duhur. 

“Është shkelur ligji. Nuk ka pasur transparencë si për planin urbanistik, ashtu dhe për buxhetin, pasi nuk janë realizuar konsulta me qytetarët”, tha Leonard Olli. 

“Është një plan që betonizon Tiranën, për të siguruar karrierën e kryetarit të bashkisë. Mos e votoni”, tha këshilltari tjetër i djathtë, Fabian Topollaj. 

Ndërsa këshilltarët e LSI-së kërkuan që teksa zhvillohej mbledhja të priteshin pyetje të qyetarëve rreth planit. “Le të zgjasë mbledhja, por qytetarët të jenë të qartë për atë që ne do të votojmë”, tha Shezai Rrokaj. 

Kjo kërkesë e këshilltarëve të LSI u mirëprit nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili shpjegoi pikat kyçe të planit urbanistik për një Tiranë që parashikohet që deri në vtin 2030 të ketë rreth 1.6 milionë banorë. 

Sipas Veliajt, plani ka 5 shtylla: trajtimin e densitetit në funksion të lëvizshmërisë, ndryshimin e lëvizshmërisë dhe shtim të kilometrave të rrugëve në përpjestim me makinat, inkurajim i zhvillimit në njësinë numër 8, niveli maksimal i njollës së ndërtimit në 45 për qind dhe jo 100%, ndalim të ndërtimeve në periferi, si dhe brezi i gjelbër ku do të mbillen 2 milionë pemë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat