Ekspozohet aparati i PR-it të Erion Veliajt, ja sa persona sigurohen që “të dalë bukur”

Tirana

Ekspozohet aparati i PR-it të Erion Veliajt, ja sa persona sigurohen që “të dalë bukur”

Më: 13 janar 2017 Në ora: 13:01
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

Prezenca e vazhdueshme dhe konstante në media e ka vënë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në qendër të akuzave për ndikim të tepruar mbi linjën e tyre editoriale dhe informacionet e pafiltruara që ato transmetojnë në lidhje me punën e tij në krye të njësisë vendore

Një prej akuzave që i drejtohet rëndom qytetarit të parë të Tiranës lidhet me prodhimin nga Departamenti i Informacionit të kronikave televizive të gatshme, të cilat më pas transmetohen në edicionet kryesore të lajmeve pa filtër editorial nga gazetarët dhe redaktorët e mediave kryesore në vend.

Sasia dhe cilësia e informacionit që buron nga bashkia Tiranë ka sjellë dhe spekulime të pashmangshme në lidhje me madhësinë dhe misionin e Drejtorisë së Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në këtë institucion, e cila është përgjegjëse për marrëdhëniet me median dhe komunikimin me publikun.

Për të hedhur dritë mbi këtë strukturë, Birn iu drejtua Bashkisë me një kërkesë të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, duke kërkuar të dhëna mbi numrin e punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun dhe të drejtorive në varësi të saj, organogramat e këtyre drejtorive si dhe emrin dhe përshkrimin e pozicionit të punës së çdo punonjësi.

Nëpërmjet një përgjigje zyrtare të ardhur me 30 dhjetor, bashkia e Tiranës sqaroi se Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun është një drejtori e cila në misionin e saj “është përgjegjëse për mirëadministrimin e çdo çështjeje që lidhet me hartimin e strategjive për rritjen dhe zhvillimin e komunikimit, krijimin  e rrjetit dhe kanaleve komunikuese.”

Sipas informacionit të ofruar nga bashkia e Tiranës për BIRN, Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun ka në varësi të saj 3 drejtori të tjera të ndara në 6 sektorë të ndryshëm.  Më specikisht, drejtoria e përgjithshme ndahet në Drejtorinë e Informacionit, Drejtorinë e Komunikimit me Qytetarët si dhe Drejtorinë e Protokollit dhe Marrëdhënieve me Jashtë.  Së bashku me drejtorin e përgjithshëm, këto tre drejtori kanë 43 punonjës, ku përfshihen 3 drejtorë, 5 përgjegjës sektori dhe 34 specialistë.

Sipas bashkisë së Tiranës, përveç mbajtjes së marrëdhënieve me mediat dhe informimit të publikut nëpërmjet programit të transparencës, Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit ka si funksion dhe menaxhimin e aktiviteve të ndryshme të bashkisë, si dhe ofrimin e informacionit dhe shërbimeve për qytetarët.

“Në kuadër të reformës territoriale të qeverisjes vendore, e cila u pasua nga riorganizimi i bashkisë Tiranë nga 11 në 24 njësi administrative, ka pësuar një zgjerim shumë të madh vitit e fundit dhe specialistët e bashkisë janë duke u përballuar me një volum pune mjaft të shtuar,” tha bashkia.

Bashkia sqaron se pjesë e Drejtorisë së Përgjithme të Komunkimit është dhe menaxhimi i aplikacioneve të reja në shërbim të qytetarëve, si aplikacioni “Tirana Ime,”  i cili ka për qëllim të nxisë qytetarinë aktive.

Marrëdhëniet me median dhe informacioni në bashki prodhohet nga Drejtoria e Informacionit.

Të dhënat e bashkisë Tiranë tregojnë se në total kjo drejtori ka 17 punonjës, ku përveç drejtorit përfshihen dhe tre përgjegjës sektori. Pjesë përbërëse të kësaj drejtorie janë sektori i marrëdhënies me median, sektori i marrëdhënieve me publikun, sektori i komunikimit dixhital online dhe sektori i menaxhimit të aktiviteteve.

Është pikërisht ky sektor, me punonjësit dhe mjetet teknike dhe financiare të vendosura në funksion të tij, që administron prezencën në media dhe rrjete sociale të kryetarit te bashkisë së Tiranës si dhe të institucionit që ai drejton. Përveç këtij grupi drejtorësh dhe specialistësh, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka dhe një këshilltar për median në kabinetin e tij.

Madhësia e aparatit të komunikimit dhe PR-it në bashki nuk ka qenë i vetmi shqetësim i ngritur në lidhje më marrëdhënien e kryetarit Erion Veliaj me median në Tiranë.

Në tetor, një numër shoqatash gazetarësh aluduan se ai qëndronte pas mbylljes së emisionit investigativ “Publicus” në Vizion Plus, në vigjiljen e transmetimit të një dokumentari mbi vdekjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Më 7 gusht, trupi i pajetë i Gjoklajt u gjet në landfillin e Tiranës. Policia arrestoi tre supervizorë të impiantit të riciklimit të plehrave ku Gjoklaj punonte krahas dhjetëra punëtorëve të tjerë, për llogari të një kompanie të quajtur 3R për të ndarë plastikën, letrën dhe metalet nga mbeturinat e pariciklueshme.

Policia e hetoi ngjarjen si një aksident në punë dhe arrestoi tre mbikëqyrës të punimeve për shkelje të kushteve të sigurisë në punë. Administratori i kompanisë 3R, Edurim Teqja, u shpall formalisht në kërkim nga policia. Teqja qe emëruar udhëheqës i Partisë Socialiste për qytetin e Peqinit pak muaj më parë.

Dokumentari i Publicus, i cili më vonë u transmetuan online, hidhte drite mbi kontratën e bashkisë Tiranë më kompaninë 3R, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e saj.

Në gusht 2016 gazetarja Alida Tota njoftoi gjithashtu se ajo qe pushuar nga puna nga televizioni ku punonte, pasi kishte investiguar mbi të njëjtën çështje.

Në një intervistë televizive në Top Channel, Veliaj i ka hedhur poshtë akuzat se ai ka lidhje me mbylljen e emisionit dhe shkarkimin e gazetares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat