Bashkia e Tiranës rikonstrukton mjediset e shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët”

Tirana

Bashkia e Tiranës rikonstrukton mjediset e shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët”

Më: 16 janar 2017 Në ora: 13:39
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi shkollën 9-vjeçare “4 Dëshmorët”

Nga sot, 482 nxënës të shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Njësinë 8, do të kenë mundësi të studiojnë në mjedise të reja.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës u mundësua përfundimi para kohe i rehabilitimit të mjediseve dhe instalimit të sistemit të ngrohjes në këtë shkollë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS-së, Ervin Bushati, tha se tashmë shumica dërrmuese e institucioneve social-arsimore në Tiranë janë me ngrohje dhe kanë të gjitha kushtet për të vazhduar normalisht procesin mësimor.

Pas kalimit të situatës emergjente, si pasojë e motit të acartë që kaloi Tirana, Veliaj falenderoi drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe prindërit e nxënësve për solidaritetin e treguar për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Deputeti i PS-së, Ervin Bushati falënderoi Bashkinë e Tiranës për investimin e kryer dhe për vëmendjen e treguar ndaj fëmijëve.

Nga ky investim është bërë hidroizolimi i tarracës së godinës së shkollës në gjithë sipërfaqen; shtrimi i klasave me pllaka, si dhe janë kryer sistemime të jashtme. Gjithashtu, është bërë i mundur rikonstruksioni total i nyjeve sanitare; i rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve; i rrjetit elektrik, është realizuar sistemi i ngrohjes për gjithë shkollën dhe vendosja e aerotermave dhe e sistemit të ventilimit për palestrën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat