Veliaj: Gjatë këtij viti reduktojmë qeset plastike

Tirana

Veliaj: Gjatë këtij viti reduktojmë qeset plastike

Më: 29 janar 2017 Në ora: 14:01
Trastat

Me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e qeseve plastike, aktivistë dhe studentë të arsimit profesional, me mbështetjen edhe të Bashkisë së Tiranës, prodhuan brenda një dite 5 mijë trasta.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e konsideroi ndotjen nga përdorimi i qeseve plastike si një nga problemet më shqetësuese me të cilin përballet Tirana

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të ndjekë politikën e reduktimit të përdorimit të ambalazheve plastike.

“Kjo është një nismë shumë e bukur! Këtë vit duam të reduktojmë totalisht qeset në Tiranë, madje në disa vende t’i heqim fare nga shitja. Më vjen mirë që edhe disa supermarkete e dyqane po e përqafojnë nismën tonë, e nga sot e tutje do përdorin trastat e rrobës dhe jo qese plastike”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se përdorimi i qeseve ka krijuar tepër probleme për qytetin, siç është rasti i bllokimit të kanalizimeve, por dhe në cilësinë e turizmit.

“Në kohën e gjyshërve tuaj dhe prindërve të mi, në Shqipëri nuk kishte qese plastike, pra të gjithë njerëzit përdornin trastën për të bërë pazarin. Sot, për çdo gjë ne përdorim qeset. Në Tiranë çdo ditë janë miliona qese që përdoren e që në fakt, është shumë problem për kanalizimet që na bllokohen, sjellin shumë probleme pasi konsumohen nga kafshët, si lopët e delet, përfundojnë nëpër lumenj e nëpër dete, dhe është e kotë kur themi se duam të kemi turizëm dhe çdo gjë është bërë pis me qese”, tha Veliaj.

Një prej aktivistëve të nismës, Ened Mato, vlerësoi rëndësinë e heqjes nga përdorimi të qeseve plastike, të cilat janë të dëmshme jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e qytetarëve.

“Me ndihmën e shumë aktivistëve, studentëve të arsimit profesional, me mbështetjen e Bashkisë dhe mbi 500 rrobaqepësve, arritëm të realizojmë një ëndërr që e kishim me dëshirën më të madhe për të thyer një rekord, për të qepur 5000 trasta për një ditë. Të sigurt se me një trastë mund të eliminojmë të paktën 500 qese në ditë, besoj se kemi eliminuar 250.000 qese, të cilat do të ishin nëpër lumenj e në det. Me fëmijët sot jemi bashkë si një skuadër e madhe, që po kuptojmë se trasta është zgjidhja më efiçente, më praktike për të zhdukur dhe eliminuar qesen dhe për t’i dhënë një mesazh gjithë qytetit të Tiranës, që e ardhmja dhe natyra e mjedisi do patjetër të përdorim trastën ditë për ditë, duke eliminuar qeset që janë aq të dëmshme për ne, për mjedisin”, tha Mato.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat