Nis ndërtimi i tunelit për furnizimin me ujë të Tiranës nga burimet e Shën-Mërisë

Tirana

Nis ndërtimi i tunelit për furnizimin me ujë të Tiranës nga burimet e Shën-Mërisë

Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 12:23
kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi punimet që po kryhen në terren

Krahas investimeve në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në qytet, Bashkia e Tiranës ka nisur edhe investimet strategjike për të rritur kapacitetin e prurjeve nga burimet në Malin e Dajtit, duke ulur në të njëjtën kohë edhe kostot financiare. Nëpërmjet ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka nisur një nga projektet më të mëdha të ndërmarra në vitet e fundit, që ka të bëjë me shfrytëzimin më të mirë të burimeve të Shën Mërisë dhe rritjen e kapacitetit përcjellës të linjave në sasi të konsiderueshme uji për qytetarët, por edhe ujin që ushqen hidrocentralin e Lana Bregasit me qëllim shtimin e sasisë së energjisë së prodhuar.

Teksa inspektoi punimet që po kryhen në terren, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se për të bërë të mundur këtë projekt po hapet edhe një tunel rreth 2 km i gjatë, i cili do të mundësojë kalimin e tubacionit dhe rënien e lirë të ujit drejt Tiranës. “Për pak javë do të kemi ujin që vjen nga Shën Mëria direkt nëpërmjet këtij tuneli për të shkuar në Lana Bregas dhe për të furnizuar Tiranën. Kjo ka disa të mira. I kursen kompanisë tonë 2 milionë dollarë në vit, të cilët shkonin si pagesa për energjinë elektrike që pomponin ujin nga lugina në mal, për të zbritur prapë pastaj në luginë, aty ku është Tirana. Duke çarë malin, me 2 km tunel, sigurohemi që kemi një linjë të re transmetimi dhe s’kemi humbje. Jo vetëm kaq, por gjithë furnizimi bëhet me rënie të lirë dhe jo me koston e papërballueshme të pompave elektrike”, tha kryebashkiaku Veliaj. 

Ai theksoi se ky investim do të shtojë ujin në hidrocentralin e Lanabregasit, çka do të rrisë kapacitetin e prodhimit të energjisë dhe për rrjedhojë edhe ardhurat prej saj. “Nga linja e re, një pjesë e madhe e abuzimeve ose e shpërdorimit të ujit në rrjet shkon direkt edhe në hidrocentralin e Lana Bregasit, fitojmë më shumë ujë, fitojmë edhe më shumë energji. Kësisoj, kemi një kompani që del më rentabël dhe pastaj, kjo na fuqizon financiarisht për të bërë edhe më shumë investime”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje faktin se ky kantier pune ka bërë të mundur edhe punësimin e një numri të konsiderueshëm të banorëve të zonës. “50 banorë të zonës janë punësuar në këtë projekt. Përveç përfitimit kryesor në ujë dhe në kursime për kompaninë, ka edhe një përfitim dytësor, të njerëzve që punësohen në të gjitha kantieret e bashkisë. Sipas llogaritjeve tona, në 105 kantiere të Ujësjellësit dhe rreth 100 kantiere të Bashkisë së Tiranës, kemi mbi 10 mijë qytetarë të Tiranës së madhe sot të punësuar me një rrogë dhe të siguruar”, shtoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat