Zonat ku zhvillohet prostitucion nëpërmjet internetit në Tiranë

Tirana

Zonat ku zhvillohet prostitucion nëpërmjet internetit në Tiranë

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 18:16
Ilustrim

3 rrjete prostitucioni virtuale janë zbuluar në Tiranë brenda një viti nga Policia.

Bëhet fjalë për grupe të cilat rekrutojnë vajza të reja, me premtimin se do të fitojnë më shumë se 1 mijë euro në muaj, ndërkohë që më pas i detyrojnë që të bëjnë prostitucion nëpërmjet internetit, me persona nga jashtë Shqipërisë.

Deri më tani këto rrjete prostitucioni janë zbuluar në 3 zona të ndryshme në kryeqytet.

Policia e Tiranës thotë se zona e Qytetit Studentit është përdorur prej vitit 2015 nga një rrjet prostitucioni, ku punonin më shumë se 10 vajza dhe pagesa për to shkonte deri në 2 milion lekë të vjetra në muaj.

Po kështu edhe në zonën e Komunës së Parisit është zbuluar një tjetër grup, i cili i detyronte vajzat të ushtronin prostitucion nëpërmjet internetit. Në këtë rast përdorej një apartament i thjeshtë, ndërkohë që vajzave që kërkonin të largoheshin, u bëhej presion me videot që ato kishin biseduar me klientët.

Dy ditë më parë Policia zbuloi rrjetin e tretë “Chat Line”, i cili gjithashtu ishte vendosur në një apartament pranë Maternitetit të ri dhe funksiononte prej më shumë se një viti.

Burime nga Policia e Tiranës, i thanë Report TV se në Qytetin Studenti mendohet se ka rrjete të tjera të cilat ushtrojnë prostitucion nëpërmjet internetit.

Po kështu, Policia thotë se po hetohet edhe për zona të tjera ku dyshohet se vajzat e moshës 17-25 vjeç shfrytëzohen për prostitucion virtual. Në 2 prej 3 rasteve këto rrjete prostitucioni janë zbuluar pas denoncimit të fqinjëve, të cilët kanë dëgjuar zhurmat dhe më pas kanë lajmëruar Policinë.

Burimet sqarojnë se mjaftojnë disa kompjutera, kamera për të komunikuar, lodra seksi dhe vajza të reja për të ngritur rrjetin e prostitucionit virtual.

Kontrollet e Policia pritet të shtohen në muajt në vijim edhe në zona të tjera ku ka dyshime se ushtrohet prostitucion nëpërmjet internetit. Dyshohet se më shumë se 460 vajza ushtrojnë prostitucion virtual nga Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat