Vjen propozimi. Rruga nga Tirana në Sarandë vetëm për 3 orë!

Tirana

Vjen propozimi. Rruga nga Tirana në Sarandë vetëm për 3 orë!

Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 19:08
Sarandë

Teksa Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur fituese kompaninë Gjoka Konstruksion për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, të paktën 6 oferta janë paraqitur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për të ndërtuar nëpërmjet koncesionit Partneritet Publik Privat.

Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije për Monitor se kompania Salillari ka dorëzuar një projekt-propozim për ndërtimin e autostradës, Thumanë-Vorë–Rrogozhinë, i pagëzuar si boshti i qendrës. Vlera e projektit llogaritet në 75 miliardë lekë nga të cilat, 34 miliardë lekë kushton aksi Thumanë-Vorë dhe 41 miliardë lekë të tjera Vorë-Rrogozhinë.

Projekti i kompanisë Salillari nuk kërkon financim nga buxheti i shtetit, por nëpërmjet përvetësimit të pagesës pas përfundimit. Boshti qendrës, edhe në studimet e mëparshme, është konsideruar me fizibilitet të lartë në krahasim me akset e tjera, për shkak të densitetit të lëvizjes që e justifikon pagesën.

Aksi Thumanë-Rrogozhinë është gjithashtu pjesë e Korridorit Blu, me gjatësi 64 kilometra. Ky segment paraqet rëndësi të veçantë, pasi mënjanon trafikun Jug-Veri në Qendrat kryesore, Tiranë-Durrës, duke kaluar në mes të Tiranës dhe Durrësit nga Thumana e Fushë-Krujës në Rrogozhinë, duke shmangur ndjeshëm trafikun dhe duke zvogëluar distancën. Korridori Blu është i vetmi seksion rrugor, i cili ka marrë financime nga nisma e Berlinit, që para dy vitesh kualifikoi për financime akset rrugore në vendet e rajonit që janë pjesë e procesit të integrimit.

Rreth 10 vite më parë, kompani austriake i kanë sjellë propozime konkrete qeverisë shqiptare, të cilat nuk u finalizuan, pasi atëherë nuk ekzistonte as baza ligjore për të bërë investime me Partneritet Publik-Privat.
 
5 ofertat e tjera nga ndërtuesit për rrugët

Janë të paktën edhe pesë kompani të tjera të ndërtimit të rrugëve që kanë bërë oferta për paketën “One Billion”. Burimet nga Shoqata e Ndërtuesve pohuan se kompania Cobial ka shprehur interes për segmentin Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i së cilës është braktisur prej vitesh. Vlera që parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit pritet të jetë mbi 9 miliardë lekë. Kjo rrugë do ta shmangte Gjirokastrën dhe Qafën e Muzinës, duke bërë që distanca Tiranë-Sarandë të përshkohej normalisht për 3-3.5 orë, duke e shkurtuar atë me 50 km. Përpjekjet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur që në vitin 2003, në kohën e qeverisë Nano. Gjatësia e saj është 28 km, një pjesë e së cilës është e ndërtuar. Pjesa më e vështirë është ndërtimi i një tuneli 1 km të gjatë.

Kompania Albstar gjithashtu ka dorëzuar një ofertë të pakërkuar për segmentin Vorë-Pezë-Plazhi i Gjeneralit.

Gjithashtu mësohet se kompania Gjikuria ka bërë ofertë për Bypass-in e Vlorës, me një rrugë që vijon nga Tragjasi me tunel në Llogara dhe dublim deri në Himarë.

Kompania ANK ka ofertuar për një propozim të pakërkuar me PPP për Bypass-in e Lezhës.

Victoria Invest, në bashkëpunim me një kompani kineze, ka bërë ofertë për Autostradën Blu, duke marrë përsipër edhe studimet e fizibilitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat