Arbëreshët, 550 rrënjë ulliri në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Tirana

Arbëreshët, 550 rrënjë ulliri në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Më: 17 janar 2018 Në ora: 17:57
Aksioni për mbjelljen e ullinjve të rinj

Përfaqësues të komunitetit të arbëreshëve të ardhur nga Italia, në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbollën 550 ullinj rreth Kalasë së Petrelës, si simbol i shpresës, miqësisë dhe i jetës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me përfaqësues të komunitetit të arbëreshëve, iu bashkuan aksionit për mbjelljen e ullinjve të rinj, që do të jenë pronë e banorëve të zonës, si një trashëgimi e pasur që vjen që nga koha e Skënderbeut.

Veliaj vlerësoi se Heroi ynë Kombëtar është e vetmja figurë që unifikon të gjithë shqiptarët dhe përcjell tek brezat mesazhin e bashkimit. Duke ftuar qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet me pemë të reja, Veliaj theksoi se në këto kohë një patriot i mirë është ai që kujdeset për vendin e tij.

Në këtë vit jubilar, ai theksoi se mënyra për të qenë patriot i mirë është mbjellja e një peme ulliri, si një pasuri e cila u lihet trashëgimi brezave.

Aleksandër Kuço, arbëresh nga rajoni i Sicilisë në Itali, theksoi ky 17 janar shënon fillimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe është prova konkrete e ruajtjes së lidhjeve me vendin amë.

“Për ne është një nder shumë i madh dhe jam shumë i emocionuar. Ky do jetë fillimi i një bashkëpunimi që nuk do të mbarojë kurrë, por përkundrazi do të zgjatet përgjithmonë sepse ju jeni rrënjët e ne jemi “degët që s’u thanë”, siç thotë Vaçe Zela te një prej këngëve të saj”, u shpreh Kuço.

Në kuadër të organizimeve për vitin jubilar të Skënderbeut, figura të larta shtetërore nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetet e shumta në përkujtim të figurës dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat