Erion Veliaj jep lajmin e rëndësishëm për aktorët me Elvana Gjatën në krah - Bota Sot
Erion Veliaj jep lajmin e rëndësishëm për aktorët me Elvana Gjatën në krah

Tirana

Erion Veliaj jep lajmin e rëndësishëm për aktorët me Elvana Gjatën në krah

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 13:00
Erion Veliaj dhe Elvana Gjata

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka sqaruar këtë të premte, se bashkia do të ndërtojë së bashku me qeverinë godinën e re të Teatrit Kombëtar, dhe se në të nuk do të ketë asnjë kullë siç është aluduar.

Ishte aktori Laert Vasili i cili pak ditë më parë, tha se për ndërtimin e kullës, kishin dëgjuar nga vetë kryetari i bashkisë. Por sot, Veliaj sqaroi se Teatri i ri do të ndërtohet mbi godinën aktuale.

Teksa mori pjesë në rehabilitimin e lulishtes së Akademisë së Arteve, bashkë me këngëtaren e njohur shqiptare, Elvana Gjata, dhe aktorin e shumë roleve në skenë dhe ekran, Kastriot Çaushi, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi që nga aktorët të ketë bashkëpunim dhe jo histeri, siç ai u shpreh.

“Do të bëjmë një propozim shumë të guximshëm për Teatrin Kombëtar, një teatër pa kullë, në gjurmën ku është sot, ekskluziv vetëm për teatrin. Por, që të bëjmë gjëra të bukura, duhet bashkëpunim, jo histeri. Na duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin, të gjejmë mënyrën më të mirë dhe të ecim përpara”, theksoi Veliaj.

Referuar rehabilitmit të Lulishtes së Akademisë dhe pjesëmarrjes të personazheve të njohur, Veliaj u shpreh: “I jam shumë mirënjohës Elvanës që për ditëlindjen e saj bashkëpunoi me ne, që t’i jepnim qytetit një qoshe e cila mbi të gjitha do të shfrytëzohet nga të gjithë studentët e arteve dhe sa bukur kur secili lë një gjurmë në vendin ku është rritur, ku është bërë e talentuar dhe pastaj ka shpërthyer si një histori suksesi”

Duke falenderuar kryebashkiakun Veliaj, artisti i njohur Kastriot Çaushi, kërkoi që krahas ndërtimit të Teatrit, të nisë puna edhe për një sërë projektesh të tjera. “Ke dhënë fjalën, përveç se thua për Teatrin, edhe për hapësirat e tjera këtu, atë përballë, atje mbrapa, vërtet kemi nevojë. Unë e di, me mua të paktën i ke mbajtur të gjitha premtimet. Ndaj në emrin tim, por edhe stafit, gjithë studentëve, pedagogëve, ju falenderoj, në mënyrë të veçantë Elvanën, por edhe ju z. Kryetar për të gjithë bonsensin që keni treguar”, tha Çaushi.

Këngëtarja e njohur, Elvana Gjata, vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiaku Veliaj në Tiranë, teksa theksoi se kjo ditë do të ruhet në kujtimet e saj si një ndër gjërat më të bukura të realizuara. “Faleminderit Erion vërtet, ta them me gjithë zemër, jemi shumë me fat që të kemi ty në Tiranën tonë! Të jam në fakt mirënjohëse që bëmë këtë gjë kaq të rëndësishme për qytetarët e Tiranës mbi të gjitha dhe për mua absolutisht. Sinqerisht, kjo është një ndër gjërat më të bukura që kam bërë në jetë, një nga gjërat më me energji të mirë, pozitive dhe u sugjeroj të gjithëve, që ta bëjnë të gjithë qytetarët e Tiranës”, tha Elvana Gjata .

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat