“Dritë jeshile” 5 kullave tek Diga e Liqenit, reagon Bashkia e Tiranës

Tirana

“Dritë jeshile” 5 kullave tek Diga e Liqenit, reagon Bashkia e Tiranës

Më: 3 prill 2018 Në ora: 20:53
Tiranë

Gjykata Administrative e Apelit ka dhënë këtë të martë dritën jeshile për ndërtimin e pesë kullave në zonën e Digës së Liqenit Artificial të Tiranës.

Menjëherë pas këtij vendimi, ka reaguar Bashkia e Tiranës, që thotë se ky verdikt është marrë në fshehtësi.

“Gjykata Administrative e Apelit, në një mbledhje të pa njoftuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit publik, vendosi të lërë në fuqi lejen për ndërtimin e 5 pallateve 17-katëshe te Diga e Liqenit Artificial, “dhurata” që ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, sot kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri qytetit të Tiranës në vitin e fundit të mandatit të tij”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

Bashkia e Tiranës thotë se ky vendim në dritën e zhvillimeve të reja që po sjell reforma në drejtësi dhe procesi i Vettingut, tregoi se Gjykata Administrative e Apelit nuk është palë me qytetarët dhe nuk i intereson e ardhmja e qytetit.

Historia e 5 pallateve 17 katëshe buzë Digës së Liqenit daton që në tetor të vitit 2014, kur në krye të Bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha.

Në shtator 2015 Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi punimet për ndërtimin e 5 pallateve dhe kërkoi revokimin e lejes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

“Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për sjelljen dhe vendimet e deritanishme të gjykatave, por mbi të gjitha për faktin se pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, me fakte e argumente, qoftë për konfliktin e hapur të interesit të gjyqtarëve apo të shpërdorimit të detyrës, nuk pati asnjë reflektim nga ana e tyre dhe, me vendimin e sotëm i hap rrugë ndërtimit të këtyre godinave”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat