Veliaj me kryebashkiakun e Sarajevës: Ngremë nivelin e bashkëpunimit

Tirana

Veliaj me kryebashkiakun e Sarajevës: Ngremë nivelin e bashkëpunimit

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 21:41
Erion Veliaj dhe Abdulah Skaka

Tirana dhe Sarajeva do ta çojnë në një nivel tjetër bashkëpunimin mes tyre, në të mirë të qytetarëve të të dyja kryeqyteteve. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Sarajevës, Abdulah Skaka, me të cilin ndau një bisedë mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shtimin e marrëdhënieve mes dy bashkive në fushat e shkëmbimeve tregtare, biznesit, rinisë dhe kulturës.

Teksa, së bashku mbollën edhe një pemë, si shenjë e vazhdimësisë së miqësisë mes dy qyteteve, Veliaj tha se mes tij dhe kryebashkiakut Skaka ishte rënë dakord për realizimin e një sërë projektesh, që do t’i vijnë në ndihmë qytetarëve.

“Përtej simbolikës, lajmi i mirë është që sot kemi dakordësuar se si do të fuqizojmë partneritetin midis Tiranës dhe Sarajevës me disa projekte konkrete. Jemi shumë të lumtur që një qytetare e jona, si Majlinda Bregu, do të drejtojë një qendër të veçantë për bashkëpunim rajonal në Sarajevë dhe do të bëhet qytetare e Sarajevës dhe do shfrytëzojmë edhe atë platformë të bashkëpunimit rajonal, si një urë që lidh dy qytetet tona”, tha Veliaj.

Gjatë takimit, kryebashkiaku i Sarajevës mirëpriti propozimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të krijuar një forum të përhershëm të kryebashkiakëve të kryeqyteteve të rajonit të Ballkanit.

“Kemi dakordësuar që ka ardhur çasti që kryetarët e bashkive të kryeqyteteve të bashkëpunojnë, siç po bashkëpunojnë kryeministrat e vendeve, për të krijuar një forum të kryeqyteteve të Ballkanit. Do të angazhohemi të dy që ta shtojmë kalendarin e shkëmbimeve mes Tiranës dhe Sarajevës, kur vjen puna tek marrëdhëniet me biznesin, rininë dhe kulturën”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat