Ngrihet qendra e pestë sociale në Tiranë dhe krijohet Qendra Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”

Tirana

Ngrihet qendra e pestë sociale në Tiranë dhe krijohet Qendra Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 11:21
Mbledhja e Bashkisë

Pas hapjes së katër qendrave të para sociale, në Kombinat, në Laprakë, në Bulevardin “Zogu i Parë” dhe në Njësinë 4, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i propozon Këshillit Bashkiak që në mbledhjen e sotme të miratojë edhe ngritjen e qendrës sociale “Strehëza Tiranë”. Kjo qendër do të vendoset brenda ambienteve të ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë dhe është ideuar për t’i ardhur në ndihmë personave të pastrehë të ndodhur në situatë rruge.

E veçanta e kësaj strehe është se ajo nuk mjaftohet me strehimin, por synon edhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për këta individë duke u krijuar atyre akses në shërbime sociale dhe duke ju ofruar mundësinë për aftësim profesional. Ashtu si edhe qendrat e tjera, edhe “Strehëza Tiranë” do të funksionojë me një staf të përhershëm, i cili do të ndihmohet edhe nga një grup vullnetarësh. Gjithashtu Këshilli Bashkiak do të diskutojë sot edhe një tjetër propozim të kryebashkiakut Veliaj që ka të bëj me ngritjen e Qendrës Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, e cila është ideuar për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të Njësive Administrative Nr. 4 dhe Nr. 8.

Kjo qendër do të shërbejë për informimin dhe zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë këtë komunitet por do të shërbejë po ashtu edhe si një qendër për zhvillimin e aktiviteteve për komunitetin. Qendra Komunitare “Gonxhe Bojaxhi” është e vendosur në një nga ndërtesat e kompleksit më të ri të shërbimeve në rrugën “Selaudin Bekteshi”, i cili është zbatuar në kuadër të Projektit “Ndërtimi i Infrastrukturës Sociale, Edukimore dhe Transportit, për komunitetet lokale”, financuar me fondet e EU IPA 2012. Risia e kësaj Qendre, në dallim me administrimin e katër qendrave të tjera sociale në varësi të Bashkisë Tiranë, është se Qendra ka një Bord Drejtuesish përbërë nga titullarë të strukturave të ndryshme sociale, por dhe me përfaqësi nga komuniteti, si dhe një Komitet të Përfaqësuesve të Komuniteteve.

Këto struktura do të jenë funksionale në mbështetje të aktiviteteve të përditshme të Qendrës dhe punës së advokimit gjë e cila e bën këtë Qendër një strukturë operacionale me bazë komunitare. Përfitues të këtyre shërbime do të jenë familje dhe individë që jetojnë në situata të vështira, veçanërisht nga komunitetet rome dhe egjiptiane, në Njësitë Administrative Nr. 4 dhe Nr. 8 me theks të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë. Përkatësisht mendohet të përfitojnë direkt: 170 familje, 200 fëmijë dhe 80 të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat