Veliaj: Vendimi për të ndaluar llotot dhe kazinotë meriton bekimin tonë

Tirana

Veliaj: Vendimi për të ndaluar llotot dhe kazinotë meriton bekimin tonë

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 21:03
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi sot se tashmë pas tre vitesh çdo qytetar që votoi ndryshimin duhet të ndihet mirë për gjitha rezultatet e arritura, më së shumti në këtë njësi, duke filluar nga projektet e mëdha siç është ai i Parkut Olipmik, Parkut të Liqenit Artificial, Këndi i Lojërave, Amfiteatrit të Liqenit, por edhe për të gjitha punët që janë bërë në nivel lagje.

“Mbaj mend ditën e parë kur filluam punë tek liqeni, ishte i gjithë një kompleks i madh ku digjej plastikë. Sot, ne zhvillojmë Maratonën e Tiranës aty dhe shumica e njerëzve as nuk e dinin që Liqeni ishte dy herë më i madh. Ja ku jemi sot! Një votë për PS dhe një mobilizim total i stafit, Bashkisë, njësisë, administratorëve, deputetit, kryetares së partisë, i gjithë njerëzve në komunitet solli këtë ndryshim. E paskemi vetë në dorë, nuk qenka kaq e vështirë! Unë besoj se siç kemi pasur në dorë për të sjellë këtë ndryshim në këtë territor, duam të vijojmë tani jo vetëm në pjesët ikonë të Njësisë 5, por edhe në nivel kapilar”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai vuri në dukje punën kolosale që është bërë në Njësinë 5, duke nisur nga projektet më transformuese që prekin Njësinë 5, e deri tek projektet e së ardhmes. Veliaj dha lajmin e mirë se vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës do të nisë ndërtimin e Kopshtit të Ri Zoologjik dhe atij Botanik, i cili do ta kthejë këtë zonë në një nga hapësirat më të frekuentuara për familjet e kryeqytetit. “Për të gjithë ata që janë të shqetësuar, nuk bëhet fjalë për Kopshtin Zoologjik që kemi lënë pas, bëhet fjalë për një hapësirë ku, në fakt, kafshët janë të lira dhe njerëzit janë ata që e përjetojnë në një labirint të rrethuar. Do bashkojmë Kopshtin Botanik me Zoologjik dhe po përdorim atë që sot është mënyra më e mirë dhe më humane e trajtimit të kafshëve, ku janë njerëzit ata që janë të kufizuar dhe kafshët janë të lira në hapësirat e tyre në Kopshtin Zoologjik. Kemi rehabilituar një pjesë të madhe të bregut. Do të vendosim shumë shpejt një stacion kanotazhi për ata që do të duan të dalin me varkë dhe besoj se kemi ngritur etalonin e çfarë do të thotë hapësirë dinjitoze, publike në kryeqytetin e shqiptarëve”, tha Veliaj.

Ai u ndal edhe te vendimi i qeverisë për t’i dhënë Bashkisë së Tiranës 2.5 hektarë sipërfaqe që sot i përket Gardës së Republikës, duke theksuar se ajo do t’i shtohet Parkut të Liqenit Artificial, si një sipërfaqe e gjelbëruar dhe rekreative. “Jam shumë i lumtur që në dallim nga plani i Bashkisë dhe i qeverisë së vjetër, ku aty parashikonin ndërtime, sot Bashkia e Tiranës, falë vendimit të qeverisë, ka marrë 2.5 hektarë për t’i rehabilituar dhe për t’ia shtuar liqenit, për të pasur një hyrje shumë më dinjitoze. I durova një herë, dy herë, tre herë, por dje nuk m’u durua kështu që, u desh të reagoja sepse e pashë që gjithë dhëndurët dhe kunetërit e atyre që ranë nga vakti, ishin shumë të shqetësuar se çfarë po ndodh me Gardën. Shumë e thjeshtë: Garda do t’i kthehet qytetarëve. Më vjen keq që u anuluan ndërtimet e tyre, por ishin të paligjshme, ishin në territor të Gardës dhe qeveria dhe bashkia që punonte vetëm për një familje, për një palë dhëndurësh dhe për një palë kunetërish, me vote, u largua nga Bashkia e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj dha lajmin e shumë pritur për shumë nxënës dhe prindër të Njësisë 5 për ndërtimin e një shkolle të re në afërsi të Parkut Olimpik. “Shumë shpejt, një nga shkollat e reja që do bëhet në këtë njësi, për të amortizuar fluksin e madh që kemi me nxënës, do të jetë pas Parkut Olimpik”, tha ai. Kryetari i Bashkisë i bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat periferike të Njësisë 5 dhe në zonat e ish-komunës Farkë që të regjistrohen në Lagjen e re Nr. 13.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës mbështeti vendimin e qeverisë për të ndalur llotot dhe kazinotë, si një vendim që shkon për të gjithë familjet shqiptare, përfshi edhe ato të Tiranës. “Një nga vendimet më të mira që ka marrë qeveria jonë është vendimi që në datën 1 janar të mos ketë më pika bastesh dhe bingosh e kazinosh në Shqipëri. Një mënyrë e shkëlqyer jo vetëm për të hequr këto fonde nga duart e kriminelëve, por edhe për t’u thënë disa burrave në Shqipëri: Ej, kthehuni në shtëpi, tek gratë e fëmijët tuaj, kaloni kohë me familjen tuaj! Më shumë se kurrë, sot qeveria jonë ka nevojë për një mbështetje popullore, masive, përtej bindjeve tona dhe partisë sonë. Kjo është një fushatë dhe kjo është një nismë që shkon përtej PS. Ky vendim i PS është vendimi më i mirë dhe meriton të gjithë bekimin dhe mbështetjen tonë”, u shpreh Veliaj.

Ai përshëndeti edhe aksionin më të fundit të Policisë Shtetit për goditjen e grupeve kriminale në vend. “Aksioni i fundjavës i Policisë së Shtetit meriton duartrokitjen dhe falenderimin tonë. Djem e vajza të përkushtuar në Policinë e Shtetit, kanë kryer një operacion për të sjellë nën kontroll ata që ndoshta konsideroheshin të paprekshëm, ata të fortët që ndoshta nuk guxonte t’i ndalonte njeri. Mesazhi që u dha këtë fundjavë është se nuk ka të paprekshëm, as në Tiranë, as në Sarandë, as në Shkodër, ndaj meriton gjithë inkurajimin tonë”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se falë punës së policisë dhe gjitha organeve të tjera ligjzbatuese, por edhe të strukturave të pushtetit vendor edhe Tirana është sot një nga qytetet më të sigurta në Europë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat