Paratë nga shpifja, Veliaj dhuron dy kompjutera për nxënësit e shkollës “Isa Boletini”

Tirana

Paratë nga shpifja, Veliaj dhuron dy kompjutera për nxënësit e shkollës “Isa Boletini”

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 18:44
Veliaj priti sot në një takim drejtorin e shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz, të cilit i dhuroi dy kompjuterë për laboratorin e informatikës, të blerë me paratë e dëmshpërblimit nga gjyqi.

Siç premtoi dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim drejtorin e shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz, të cilit i dhuroi dy kompjuterë për laboratorin e informatikës, të blerë me paratë e dëmshpërblimit nga gjyqi.

Veliaj tha se kjo është një dhuratë simbolike, e cila do të ndihmojë nxënësit e Kodër - Kamzës që të mësojnë gjuhën e kompjuterit.

Veliaj: “Jam shumë i lumtur që sot sepse betejën për të hequr kulturën e shpifjes nga Tirana po e kthejmë në të mira materiale për shkollën “Isa Boletini”. Këto janë dy kompjuterët e parë që duam t’ia dhurojmë shkollës. Mezi pres që fëmijët, përveçse të dalin mirë në gjuhë, letërsi, matematikë, të mësojnë edhe këtë lloj gjuhe, gjuhën e kompjuterit. Sot gjithmonë e më shumë njerëzit thonë: - “Di anglisht? Pastaj, pyetja tjetër është: Di kompjuter? Dua që fëmijët në Kodër - Kamëz e në Institutin Bujqësor të dinë edhe anglisht, të dinë edhe shqip shumë mirë, por të dinë edhe kompjuter si gjuhë e re”.

Duke përshëndetur nismën e kryeministrit për të luftuar fenomenin e shpifjes, ai theksoi se të gjitha paratë që do të fitohen nga gjyqet do të shkojnë për arsim.

Veliaj:“Angazhimi i kryeministrit dhe porosia që u është lënë të gjithë atyre që shërbejnë ndaj publikut, qoftë në bashki, qeveri, parlament, është që çdo para që vjen nga fondet e betejave kundër shpifjes të kthehet në fond për arsimin. Jam shumë i lumtur që me këta dy kompjutera të parë, nisim laboratorin e shkollës “Isa Boletini”.

Ai u shpreh se investimet të bëra në këtë shkollë gjatë këtij viti, tregon vëmendjen që Bashkia e Tiranës i ka kushtuar të ardhmes së qytetit, që janë fëmijët.

Veliaj: “Jam i lumtur që kemi rindërtuar shkollën, sot nuk ka më mësim me dy turne; jam i lumtur që dëgjoj nga drejtori se nxënësit po dalin me 10, janë krenaria jonë! Besoj se ky qytet e ka vënë bastin tek e ardhmja e këtij qyteti nga 10-at e nxënësve. Unë besoj te ky lloj basti, që fëmijët e Kodër Kamzës, në Institutin Bujqësor, duke dalë mirë me mësime, duke ecur përpara, i kanë dhënë shans familjes së tyre të dalin nga varfëria e të lulëzojnë në qytetin e Tiranës”.

Drejtori i shkollës “Isa Boletini”, Bexhet Aga, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për vëmendjen që ka treguar në vijimësi për shkollën “Isa Boletini” dhe në mënyrë të veçantë për dhurimin e këtyre kompjuterëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat