The Guardian: Tirana, qyteti kozmopolit i Ballkanit

Tirana

The Guardian: Tirana, qyteti kozmopolit i Ballkanit

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 15:00
Ilustrim

Prestigjiozja britanike “The Guardian” i ka dedikuar një artikull të detajuar ndryshimit të jashtëzakonshëm që ka pësuar Tirana ndër vite dhe punës së jashtëzakonshme që ka bërë kryetari i bashkisë Erion Veliaj për ta kthyer atë në një model të vërtetë Europian.

Më poshtë vijon artikulli i plotë:

Nëse qëndroni në mes të Sheshit Skënderbe në Tiranë dhe rrotulloheni për 360 gradë, do të shihni arkitekturën fashiste italiane, ndërtesat në stilin komunist rus dhe kinez, një xhami, një kishë ortodokse, drejtkëndëshin e shkëlqyeshëm prej xhami të “Tirana International Hotel” dhe karabinanë e zezë të papërfunduar të kullës “Archea”.

Tirana nuk ndjek modelin e shumicës së qyteteve europiane. Sheshi është në mes, por nuk ka një qendër të qytetit në vetvete dhe nuk ka rrugë të mëdha tregtare si “Regent Street” (Londër) apo “Rue de Rivoli” (Paris). Madje nuk gjen as zinxhirët e butikëve të njohur si “Zara”, “Mango”, “Nando’s” ose “McDonalds”.

Gjithçka në qytet duket e rrëmujshme. Dhe një burrë është ngarkuar që ta ta sjellë atë në rend.

Tirana  e gjallë, kaotike dhe urbane pasqyron historinë e saj të jashtëzakonshme. Në vitin 1912, Shqipëria fitoi pavarësinë nga osmanët, duke u pushtuar nga fashistët e Musolinit në vitin 1939, më pas të çliruar nga luftëtarët komunistë, të cilët filluan një regjim shtypës nën diktaturën e Enver Hoxhës. Për 45 vjet, Shqipëria ishte një version i Koresë së Veriut në Ballkan.

Nën Hoxhën vendi ishte krejtësisht i izoluar, duke u prishur edhe me miqtë në Moskë apo Pekin. Çdokush që u përpoq të largohej u qëllua si tradhtar. Pra, kur regjimi më në fund ra në vitin 1992, duke hapur derën për lirinë e lëvizjes, kapitalizmin, tregun e lirë, njerëzit, në mënyrë të kuptueshme, u çmendën pak.

Shqiptarët emigruan në numër të madh, kryesisht në Greqinë dhe Italinë fqinje. Për ata që qëndruan, gjëja e parë që bënë me pasurinë e tyre të sapokrijuar ishte blerja e një makine. Në vitin 1992 në Tiranë kishte 200 makina, të gjitha për nomenklaturën e Hoxhës, sot ka 200 000.

Gjëja e dytë që ata bënë ishte ndërtimi, shtëpi, dyqane, kasolle, kioska, gjithçka dhe kudo. Meqenëse nuk kishte fare tokë private, gjithçka ishte e hapur, duke sjellë një shpërthim të godinave të parregullta që autoritetet duhej të merreshin si dhe të përballeshin me trafikun e çrregullt të qytetit.

Popullsia e Tiranës është katërfishuar për 20 vjet, nga rreth 200 000 në 1992 në 800 000 sot, ndonëse numri total jozyrtar mund të arrijë deri në një milion. Mosha mesatare është 27; Erion Veliaj, kryebashkiaku është 38. Ai fitoi zgjedhjet në vitin 2015 si kandidat i Partisë Socialiste, duke iu bashkuar kryebashkiakëve radikalë të Europës si Ada Colau në Barcelonë dhe Virginia Raggi në Romë. Më e keqja që mund të thonë për atë është se është shumë i shkëlqyeshëm.

Nga Edi Rama, ish-kryebashkiaku dhe tani kryeministri shqiptar, Veliaj trashëgoi “Tiranën 2030”: një plan ambicioz për të zgjidhur kaosin urban. I hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, synon të kthejë Tiranën në “një metropol kaleidoskop” të rrethuar me një pyll orbital prej dy milionë pemësh dhe korridore të gjelbra përgjatë tre lumenjve të qytetit. Plani është që të ndërtohet më shumë në lartësi se sa në gjerësi për të pritur popullsinë ende në rritje.

Sipas stileve të arkitektit, Tirana 2030 përbëhet nga tre elementë: një “afresk” metropolitan bazuar në 10 tema kryesore (biodiversiteti, policentrizmi, njohuri të shpërndara, lëvizshmëria, uji, gjeopolitika, turizmi, qasja, bujqësia dhe energjia); një “atlas” i përbërë nga 13 projekte strategjike të vendosura në peizazhin e vërtetë dhe një “kartë” rregullash të formuluara rreth pesë sistemeve metabolike (natyra, infrastruktura, qyteti, bujqësia, uji).

Nëse plani i Boerit në Tiranë duket i madhërishëm dhe shpesh i paqartë, Veliaj këmbëngul se do të shërbejë për një qëllim praktik.

“Ne nuk mund ta përballojmë shtrirjen urbane sepse nuk mund të përballojmë një metro, e cila kushton 300 milionë euro për kilometër“, thotë ai.

“Plani synon të krijojë dendësi, por me cilësi.”, thekson Veliaj.

“Ne duam të shmangim metodën Corbusier për të ndërtuar shumë banesa sociale në periferi, gjë që është një qasje e keqe nëse doni që njerëzit të marrin pjesë në qytet“, shton Joni Baboci, kreu i planifikimit dhe zhvillimit urban të qytetit.

Kritikët pohojnë se, me një popullsi urbane prej 10 000 banorë për km², qyteti është tashmë shumë i populluar dhe ndërtimi i blloqeve të banesave vetëm do të përkeqësojë problemet e bllokimit të trafikut dhe mbipopullimit. Qyteti është i sheshtë dhe klima është e mirë; Baboci thekson se “në epokën komuniste pa makina, biçikleta ishte mjeti kryesor i transportit”.

Veliaj është pragmatik dhe është përqendruar në përmirësimin e dukshëm të qytetit. Për shembull, ai tregon për shndërrimin e Sheshit Skënderbe, i cili u kthye nga një ishull trafiku i madh, në hapësirën më të madhe pedonale në Ballkan – “një destinacion, jo një vend tranzit”.

“Sa më shumë projekte të bëjmë në shesh, aq më shumë ata bashkojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë një rrjet hapash që e bëjnë qytetin më miqësor”, thotë Baboci. “Sheshi është gjithashtu një sinjal për njerëzit për mënyrën se si ne mendojmë se qyteti duhet të punojë”.

Kryebashkiaku është kritikuar për atë që disa e shohin si një mënyrë oligarkike nga lart poshtë për të bërë gjërat dhe Veliaj pranon se preferon më shumë të shpjegojë sa sa të konsultojë. “Unë e di që është një klishe, por unë me të vërtetë besoj se nëse e ndërtoni, ata do të vijnë”, thotë ai.

Ai është veçanërisht krenar për një skemë të aplikuar për të inkurajuar qytetarët për të mbjellë pemë, qoftë për ditëlindjet e tyre ose në raste përkujtimore. Duke e tejkaluar lehtë një objektiv fillestar prej 100 000 pemësh të mbjella, qyteti ka ngritur një departament që synon nxitjen e publikut për të mbjellë vetë pyjet e planifikuara orbitale.

Si një nga vendet më të varfra të Europës, qyteti duhet të përdorë partneritete publike private (PPP) për të financuar projektet e saj, të cilat Veliaj e pranon se janë të diskutueshme. Për shembull, në këmbim të ndërtimit të stadiumit të ri të futbollit, zhvilluesi ka qenë i lejuar të ndërtojë një hotel 25-katësh pranë tij.

“Shqetësimi nuk është se ne do të marrim një stadium të ri, por do të marrim një hotel me një stadium të lidhur me të.”, thotë Medlir Mema, kreu i hulumtimit në Institutin e Lidershipit në Tiranë.

Rritja e ndjeshme e popullsisë së Tiranës ka ngritur problemin e mungesës së shkollave. PPP-të po financojnë një program masiv për të ndërtuar shkolla të reja, disa prej të cilave janë projektuar nga Boeri dhe arkitekti britanik Nicholas Grimshaw. Sipas skemës PPP, zhvilluesit e ngrenë kryeqytetin ndërsa qyteti i paguan ato me këste, me interes.

Zana Vokopola, drejtoreshë e Institutit të Kërkimeve Urbane në Tiranë, është ndër ata që kanë rezerva për përdorimin e PPP-ve për shërbimet publike. “PPP-të përdoren përgjithësisht për ndërtimin e infrastrukturës që gjeneron të ardhura, kështu që ju jeni në gjendje të paguani borxhin në kohën e duhur”, thotë ajo. “Ato përdoren rrallë për ndërtimin e shërbimeve publike që zakonisht nuk krijojnë të ardhura dhe si e tillë borxhi mbetet për gjeneratat e ardhshme“.

Ka gjithashtu pyetje se nga po vijnë paratë. “Zona të mëdha të Shqipërisë janë mbjellë me kanabis, kështu që ka shumë para që duhet të pastrohen“, thotë Mema. “Shumë njerëz dyshojnë se ajo që qëndron pas disa prej këtyre projekteve të mëdha është një përpjekje për të pastruar paratë, megjithëse unë nuk mendoj se kjo ka të bëjë me Veliajn”.

Gjergji Bojaxhi, i cili kandidoi kundër Veliaj në vitin 2015, pohon se “Zhvillimi në Tiranë nxitet nga paratë e ekonomisë joformale. Në një vend ku shteti i së drejtës dhe sistemi i drejtësisë ka dështuar, pasi është kapur nga klasa politike, pasuria e patundshme është mbreti”.

Nuk është e habitshme që Veliaj e hedh poshtë këtë dhe këmbëngul që i gjithë financimi i përdorur nga PPP-të është subjekt i një monitorimi rigoroz, dhe ankohet për atë që ai e quan “sport kombëtar i cinizmit dhe teorive të konspiracionit”. Megjithatë, korrupsioni dhe mungesa e transparencës janë përmendur si dy nga pengesat kryesore për anëtarësimin në BE të Shqipërisë.

Dhe pavarësisht nga kritikët e tij, gjatë disa orëve që shëtisim nëpër qytet, çdo person dëshiron të takojë Veliajn dhe t’i japë dorën. Pjesa më e madhe e masterplanit të Boerit është në të njëjtën rrugë me atë të paraardhësit të tij, por ndërkohë, niveli i pëlqimit për Veliajn në zgjedhjet e qershorit është rritur, që tregon si ai është duke bërë diçka të mirë.

Ndërsa emigrimi mbetet i lartë, Tirana është e mbushur me të rinj që janë kthyer, pasi kanë kaluar vite duke punuar dhe studiuar jashtë vendit. Vetë Veliaj u largua nga Shqipëria 20 vjet më parë për të studiuar në SHBA, duke u kthyer në Tiranë përfundimisht në vitin 2002. Tani ai gjen qëllim në tranzitimin nga qyteti i shkuar kaotik drejt të ardhmes “nëpërmjet një dizenjimi urban ekzemplar”.

“Tirana është një qytet i madh dhe i gjallë që megjithatë ka luftuar me kalimin nga qendra e një regjimi të izoluar në kryeqytetin kulturor kozmopolit të Ballkanit,” thotë ai. “Ne duam ta ndihmojmë atë përmes fazave përfundimtare të tranzicionit të saj dhe për të kompensuar kohën e humbur…”

“Unë dhe ekipi im e bëmë zgjedhjen tonë ditën kur morëm atë fluturim për në shtëpi: ta modernizojmë këtë vend me çdo kusht”, thekson Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat