Gurëzaza, qyteti ilir me vlera historike

Turizëm

Gurëzaza, qyteti ilir me vlera historike

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 09:53
Gurëzeza

Gurëzeza, qyteti ilir në Cakran të Fierit, aty ku historia e pasur takohet me natyrën është një nga destinacionet turistike më të veçanta.

I ndodhur në 17 km larg qytetit të Fierit arkeologët kanë vlerësuar se Gurëzeza, emri antik i së cilës mendohet të jetë Barbyli, është po aq e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare sa Apolonia apo Bylysi.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi në një video të publikuar prezanton historinë dhe bukurinë e natyrës në këtë qytet ilir.

“Natyrë e bukur dhe histori e pasur. Gurëzeza ka plazhe spektakolare , ballkone natyrore , kodra plot gjelbërim, , shtëpi karakteristike, fruta të egra, natyrë të bukur, aromë mali, ngjitje plot aventurë 520 m mbi nivelin e detit. Një destinacion i veçantë dhe i bukur turistik”, shprehet Subashi.

Qyteti antik gjendet i vendosur në pozicionin gjeografik, i ekspozuar në shpatin e fshatit Cakran. Muri rrethues është i gjatë 2100 m dhe sipërfaqja e përgjithshme brenda murit rrethues është 23 ha, pothuajse e barabartë me Bylysin.

Nga zbulimet e deritanishme, rezulton se gjurmët e neolitit të mesëm gjenden pranë shkollës. Gjatë gërmimeve sipërfaqësore janë siguruar objekte dhe gjetje në Varibop, që i takojnë shekulli XII para Krishtit. Gjithashtu në këtë zonë janë gjetur objekte që i takojnë VIII-VI para Krishtit.

Kulmi i zhvillimit të qytezës antike ka qenë shekulli IV para Krishtit. Gurëzeza ka shërbyer si një qendër shumë e rëndësishme ekonomike, politike e shoqërore.

Këtë e dëshmon gjetja aty e një thesari prej 3500 copë monedhash bronzi dhe argjendi. Në bazë të këtyre gjetjeve mendohet se Gurëzeza ka shërbyer si qëndra e Mbretit Ilir Monuni.

Historia thekson se ky qytet mund të jetë shkatërruar gjatë luftës së tretë iliro-romake, diku në vitin 167 p.k. Gërmimet në Gurezezë datojnë në vitin 1916-1918, kur arkeologu austriak, Camillo Praschniker, kreu ekspeditën e parë.

Më pas, ato do të vijonin në vitin 1963, nga arkeologët shqiptare. Nga ky vit, vendbanimi antik iu nënshtrua disa ekspeditave me karakter informues dhe gërmues.

Gjetjet e neolitit të mesëm janë të shumta dhe përfaqësojnë një fazë më vete të zhvillimit kulturor të kësaj periudhe në vendin tonë./ATA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat