Vlorë, kroçera “La Belle De L’Adriatique” sjell 171 turistë të huaj - Bota Sot
Vlorë, kroçera “La Belle De L’Adriatique” sjell 171 turistë të huaj

Turizëm

Vlorë, kroçera “La Belle De L’Adriatique” sjell 171 turistë të huaj

Më: 9 mars 2019 Në ora: 19:04
Vlorë

Kroçera “La Belle De L’Adriatique”, me 171 turistë të huaj në bord, u ankorua sot në kalatat e portit të Vlorës, ku u ofruan të gjitha shërbimet e nevojshme për përpunimin në kohë dhe plotësimin e programit të saj një ditor në këtë qytet dhe destinacione të tjera.

Drejtori i Portit të Vlorës, Adi Malaj, tha për ATSH-në se, mjeti lundrues turistik i përmasave të konsiderueshme, ishte nisur nga Kroacia dhe, më tej, do të vazhdojë itinerarin për në ishullin e Korfuzit(Greqi).

Sipas Malajt, turistët e huaj, kryesisht francezë, kanë vizituar qytetin e Vlorës dhe më pas, udhëtuan për në qytetin antik të Apollonisë dhe në Berat.

Ankorimi një ditor i kroçerës me pronarë kroatë, vlerësohet si një tregues mjaft pozitiv i rritjes së interesit të turistëve të huaj për Vlorën dhe, në përgjithësi, për jugun e Shqipërisë, çka do të thotë edhe zgjatje faktike e sezonit turistik në këtë qytet.

“La Belle De L’Adriatique”, u ankorua edhe katër ditë më parë në kalatat e portit të Vlorës, me 159 turistë francezë në bord, programi i vizitave të të cilëve, veç këtij qyteti, përfshinte të njëjtat destinacione, Apoloninë dhe Beratin.

Në intervistën e tij për ATSH-në, drejtori i Portit të Vlorës, Adi Malaj, nënvizoi se, veç resurseve turistike, turistët e huaj i tërheqin edhe kushtet e favorshme të trajtimit dhe mirëpritja në mjediset portuale, si edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore që lidh qytetin e Vlorës me destinacione të rëndësishme turistike, si “Apolonia” dhe Berati.

“Gjatë një takimi që zhvillova me përfaqësuesit e kësaj kroçere, ata vlerësuan përmirësimin e  standardeve të infrastrukturës rrugore në rajonin e jugut të vendit, duke u ndalur në ndërtimin dhe përfundimin në një afat optimal të pritshëm të “by-pass”-t të Fierit”, theksoi Malaj.

Sipas tij, me përfundimin e këtij segmenti rrugor mjaft të rëndësishëm, përmirësohen dukshëm edhe kushtet e udhëtimit për në destinacionet turistike të sipërpërmendura, çka do të thotë edhe shtim i ndjeshëm i këtyre mjeteve.

Ankorimi për herë të parë në këtë periudhë i kroçerave, vlerësohet edhe si një paralajmërim pozitiv për operatorët turistikë në Vlorë, por jo vetëm, si dhe si një sinjal, gjithashtu pozitiv, se kornizat kohore të sezoneve të mëparshme, tashmë janë tejkaluar.

Sezoni turistik veror 2018, shënoi edhe risinë e “boom”-it të kroçerave, jahteve e mjeteve të tjera lundruese turistike të ankoruara në kalatat e portit të Vlorës, në një numër shumëfish më të lartë, krahasuar me vitet paraardhëse.

Mbërritja e tyre, është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku, qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej në javët në vazhdim. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...