Kruja, ansambli historik që të kthen pas në kohë, sot destinacioni më i madh turistik - Bota Sot
Kruja, ansambli historik që të kthen pas në kohë, sot destinacioni më i madh turistik

Turizëm

Kruja, ansambli historik që të kthen pas në kohë, sot destinacioni më i madh turistik

Më: 6 prill 2019 Në ora: 09:49
Kruja

“Kultura si motor i zhvillimit ekonomik” është shprehja që të shkon në mendje, sa herë përmendim Krujën.

Çdo fundjavë e gjen qytetin historik me plot vizitorë vendas dhe të huaj. Nga të pakta qytete në Shqipëri, që të kthen 500 vite pas në kohë, sapo prek Pazarin e Vjetër, ku ende ruhet tradita më e bukur etnografike. Mbi kalldrëmin e qytetit, ndihesh si bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, teksa shikon zejtarinë e trashëguar prej kohës arbërore, kur “Derexhiku” siç e thërrasin vendasit, nisi të ndërtohej.

Në rrugicën e ngushtë me gurë, gjallon puna artizanale, që zgjon kureshtjen e turistëve për të parë e për tu njohur me trashëgiminë etnografike, e cila ruhet plot fanatizëm nga krutanët. Qeleshja, puna në tezgjah, enët e punuara në bakër, Kalaja e Krujës e punuar në dru, antikuaret e rralla bëjnë që turistët të marrin një pjesë të historisë me vete.

Rruga e Derexhikut të çon deri në Kalanë e Krujës, në portën që i rezistoi tre rrethimeve më të mëdha osmane, e që sot është e hapur për mijëra vizitorë. Muzeu që “flet” për Skënderbeun, me mikpritjen e stafit tejet profesional, prek madhështinë e Heroit Kombëtar. Mbas dy muajve të parë të vitit 2019 që ishin të heshtur, muaji mars solli qindra turistë, ku vetëm në ditën e fundit, Kalaja u vizitua nga 1000 vizitorë.

Lama, drejtuesi i “Tours Albania & Balkans”, i cili po shoqëron një grup turistësh britanikë, tregon mbi përshtypjet që marrin turistët.

“Kruja ka një pamje dhe histori befasuese, që tregon krenarinë e një kombi. Habia e tyre është kur kuptojnë rëndësinë e Heroit tonë Kombëtar, si mbrojtës i qytetërimit europian dhe qëndresa e shqiptarëve bëri që Europa të merrte kohën që ti forconte portat ndaj forcave osmane”, tregon Lama. Ndër të tjera ai foli edhe për rëndësinë e Muzeut Etnografik, i cili plotëson ansamblin historik të Krujës, që kthehet në kujtimin më të veçantë që turistët marrin me vete.

Kalaja e Krujës, gjatë tre muajve të parë, ka pasur rreth 13.100 turistë, ku fluksin më të madh e kishte muaji mars, shifër që do të rritet në vazhdim, pasi ky qytet është në çdo guidë të vizitorëve.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...