Qyteti i një mbi një dritareve priti 20 mijë turistë që nga janari i 2019-ës

Turizëm

Qyteti i një mbi një dritareve priti 20 mijë turistë që nga janari i 2019-ës

Nga: atsh Më: 28 prill 2019 Në ora: 11:30
Berat

I njohur si qyteti i një mbi një dritareve, Berati është një qytet unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë.

Mbi kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot , Berati është një nga destinacionet kryesore turistike në vend.

“Nga data 1 janar deri tani qyteti i Beratit është vizituar nga mbi 20 mijë vizitorë, ndërsa pritet që numri të shtohet”,- tha për ATSH-në Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Berat, Eugen Kafllani.

Kapllani u shpreh se “vetëm të enjten, më 25 prill, numri i turistëve ishte rekord, 850 turistë vetëm në një ditë”, – tha Kafllani.

“Pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe i gjithë bota. Një interes të madh turistët kanë treguar për Kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit, Mangalem, Goricë, si dhe Urën e Goricës”, – tha Kafllani.

Kreu i DRKK Berat tha se “në ditët e para të prillit pothuajse çdo ditë kanë ardhur grupe me 100 turistë, që kanë vizituar Beratin, ndërsa këtë ditë grupet e turistëve kanë arritur deri në 425 në ditë”.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat