Gjipea, një prej perlave detare të jugut çlirohet nga zaptuesit

Turizëm

Gjipea, një prej perlave detare të jugut çlirohet nga zaptuesit

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 19:12
Gjipea

Plazhi i Gjipesë apo siç njihet ndryshe Kanioni i Gjipesë është një ndër plazhet më të bukura të rivierës shqiptare, i cili pas aksionit për lirimin e hapësirave të tij duket se po merr frymë lirisht.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një fotografi nga giri i Gjipesë, një ditë pas heqjes së çadrave dhe shezlonëve.

“Gjiri i mrekullueshëm i Gjipesë, një ditë pas çlirimit”, shprehet Rama.

Policia e Shtetit dhe inspektoriatet qendrore, që nga fillimi i korrikut kanë nisur aksionin për çlirimin e hapësirat publike për pushuesit, duke mos toleruar asnjë zaptues të përfitojë.

Gjiri i Gjipesë është vërtet një vend përrallor që të ofron mundësi gjatë ditës për t’u larë në ujin e kristaltë, për të ecur në kanionin e saj, ku herë pas here formacione të ndryshme shkëmbore krijojnë pamje mahnitëse, por është edhe vendi ideal që gjatë natës të shohësh dallgët e detit nën yjet vezullues.

Ai është renditur mes 50 plazheve më të bukura të botës për vitin 2018 nga faqja më e madhe kanadeze që u kushtohet udhëtimeve, “Flight Network”, në një listë që është përpiluar duke u bazuar në opinionin e 1 200 gazetarëve, botuesve, blogerëve dhe agjencive të udhëtimeve për të dhënë këndvështrimin e tyre prej eksperti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat