Nga Dibra në Prizren – mes Korabit dhe Sharrit

Turizëm

Nga Dibra në Prizren – mes Korabit dhe Sharrit

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 19:01
Pamje nga vendi i ngjarjes

Dikur ndër kazatë më të njohura ndër shqiptarë dhe që ndanin një kufi të përbashkët, sot Prizreni dhe Dibra janë thuajse të palidhura njëra me tjetrën. Kjo për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe më pas edhe bllokimit të kufirit mes Strazimirit dhe Restelicës.

Një rrugë që në gjysmën e parë ke pranë freskinë e Radikës së cunguar

Image

Me hapjen e përkohshme të kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë Veriore në Strazimir-Restelicë, 20 korrik deri 20 gusht, përkundër infrastrukturës të rëndë dhe rreth 25 kilometra me kalldrëm, pamja që të ofron ky shteg gjarpërues është i mahnitshëm dhe përtej çdo panorame përallore. Mjafton të përmendet se rruga çan mes përmes dy malet më të njohura të këtyre trojeve – Sharrit dhe Korabit – ku në mes ndodhet Radika, ku pavarësisht se e betonizuar, akoma ruan hijeshinë e saj, informon foldrejt.com.

Vegjetacioni i Korabit dhe Sharrit lë për të dëshiruar te të gjithë botanikët bashkëkohorë.

Itinerari i një udhëtimi të paharrueshëm

Me nisjen nga Dibra e Madhe deri te ura pranë fshatit Tërnicë, që rëndom nga banorët vendorë njihet si Rruga për Prizren, lakojmë majtas ku tashmë rruga fillon e pa asfaltuar dhe e nevojshme për vetura 4×4. Pavarësisht vështirësive që sjell rruga, ajo që nuk na ndahet kurrë nga Dibra është lumi Radika. Pas 10 kilometra pa asfalt, pasi hera-herës sheh fshatra fantazmë dhe të pabanuara, nuk marrim rrugën majtas për në Majën e Korabit, por vazhdojmë edhe më tutje për rreth lumit Radika. Na duhet edhe rreth 10 kilometra tjera për të arritur në kufirin mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës. Ajo që vërehet në 10 kilometrat e fundit të Maqedonisë Veriore, është ndërtimi i tubacioneve që marrin lumin gjarpërues të Radikës dhe demarkacioni që ka shtyrë kufirin disa qindra metra më tej në dëm të Kosovës.

Image

Aty ku ndahet rruga për Korabin e Madh dhe Prizren!

Objekti që dikur përdorej nga Kosova për të kontrolluar kufirin, tashmë ndodhet në Maqedoninë Veriore dhe flamuri blu-verdhë ishte vendosur më lartë.

Në fund të pjesës maqedonase duket ndërtimi i kohërave të Titos dhe ‘zhurma’ e Fushës së Lukovës.

Pas kontrollimit të sjellshëm të katër policëve (2 të Kosovës dhe 2 të Maqedonisë Veriore), udhëtimi nis tashmë në Kosovë. Sipas policëve, në ditë ky atrakcion i vërtetë turistik përdoret nga vetëm rreth 50 persona – normalisht për shkak të infrastrukturës.

Trekëndëshi kufitar

Si për të përshkruar më mirë bukuritë e kësaj rruge, tregon vetë vendodhja e saj poshtë Majës së Sherupës që është edhe trekëndëshi kufitar mes Maqedonisë Veriore, Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova në këtë aspekt ia kishte kaluar Maqedonisë Veriore, pasi pas gjashtë kilometra menjëherë fillonte asfalti i ri i rrugës që çante nëpër bjeshket e bukura dhe tashmë pa pemë për shkak të lartësisë së madhe.

Pasi ndalojmë pak për të vijuar ngjitjen në Majën e Sherupës (2090 metra), për persona të përgatitur mjaft e lehtë dhe zgjat rreth një orë e gjysmë, zbresim poshtë për të vijuar rrugën për në Restelicë – fshatin e parë të Kosovës.

Rruga më së larti arrin lartësinë 1925 metra mbi nivelin e detit dhe pikërisht aty të ofrohet si askund tjetër pamja mahnitëse e Korabit të Madh (2764m) dhe Malit Sharr ( Majës së Titos 2747m). Është e pamundur të mos ndalon në këtë pjesë ku pranë ndodhet edhe një çeshmë me ujë mjaft të ftohtë të burimeve pranë lumit Radika.

Image

Më tutje, rruga pas një periudhë të shkurtër arrin në Restelicë (rreth 18 kilometra larg kufirit), që njihet si fshati më i madh i Kosovës – i banuar me popullatë sllavishtfolëse dhe ku ndjenja fetare ishte e theksuar.

Një rrugë e ndërtuar për mrekulli në lartësinë 1925 metra…

Image

Nga Restelica rruga vijon për në Krushevë, mund të ndalesh për pak kohë edhe në Shishtaves të Shqipërisë, por edhe mund të vazhdohet direkt për në Dragash dhe më pas Prizrenin historik.

Gjithësej nga Dibra e madhe deri në Prizren rruga zgjat 120 kilometra, por plot panorama që do ju lënë mbresa për gjithë jetën. Eh, sikur kjo rrugë të kishte më shumë vëmendje nga politikanët e Maqedonisë Veriore!/Foldrejt.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat