Kruja përtej historisë, një magji e natyrës

Turizëm

Kruja përtej historisë, një magji e natyrës

Më: 1 shtator 2019 Në ora: 15:09
Kruja

Lear e përshkruante me të drejtë Krujën, si qyteza plot sharmë mbi qiell. Përveç historisë, ajo ofron një mozaik të fshehur të natyrës.

Ajo nis me bekimin prej teqeve në Malin e Krujës, panoramën që ofron natyra, teksa ecën në kalldrëmet mesjetare, madhështinë e Parkut Kombëtar të Qafështamës, pikën panoramike të Malit të Gamtit apo Kanionet e Lumit Zezë dhe Droja.

Si mundësi për të rritur kohëgjatësinë e turistëve në Krujë, paralelisht me turizmin e kulturës, natyra ka shumë për të ofruar, duke pasur kështu një guide turistike sa më të plotë.

Për bashkinë Krujë, prioriteti mbetet turizmi natyror, deri më sot pak i promovuar, por shikohet si mundësia për një larmishmëri të paketës “VisitKruja”.

“Fakti që kemi 45 monumente kulture dhe natyrore, rreth 15 shtigje për turizmin e aventurës, liqene artificiale, gojëdhëna historike apo religjioze, një pozitë gjeografike që nis nga 50 metra mbi nivelin e detit e deri në 1723 me Majën e Liqenit, të gjitha periudhat historike kanë shenjë në Kruje, nga antikiteti, mesjeta e hershme apo e vonë, Heroin Kombëtar, Kryeministër, destinacionin e Mbretit Zog, shpella fantastike me plot legjenda ku fshihen thesaret, ura dhe kalldrëme mesjetare, janë gjithë çfarë na duhet për sfidën tonë 1 milion turistë”, shprehet Drini Masha. përgjegjës i turizmit në Krujë.

Aktualisht, bashkia Krujë dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po bashkëpunojnë për strategjinë e “Kruja Outdoor” e cila lidh produktet lokale me tregun turistik, duke plotësuar kështu turizmin e kulturës, ky i fundit nga viti në vit rritet nga 15%-20%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat