Pse Marrakeshi njihet si qyteti i kuq i Marokut?

Turizëm

Pse Marrakeshi njihet si qyteti i kuq i Marokut?

Më: 24 tetor 2019 Në ora: 19:21
Marrakeshi

Me mundësi të pafundme argëtimi ku brenda një dite mund të shijoni plazhet e mrekullueshme të Agadirit, freskinë dhe gjelbërimin e maleve Atlas, diellin e nxehtë në rrugicat e Marrakeshit dhe hapësirat ranore të Saharasë. Një vend sa legjendar aq edhe real, sa i vjetwr aq edhe i ri ku tradita ndërthuret  natyrshëm me modernizmin. Marrakeshi është një prej atyre qyteteve legjendare që mbart nostalgjinë e vendeve të largëta, por në fakt mjafton të kalosh ngushticën e Gjibraltarit që kjo tokë magjike të shpaloset përpara syve të turistëve Evropian. Pallatet e kuqe të pjekura me baltë të medinës nën Atlasin e Lartë, dhe një “unazë” e mureve që shkojnë deri në 19 kilometra, në një qytet të zhurmshëm që gëlon nga vendasit dhe turistët e huaj, e bëjnë Marrakeshin përvojën më të paharrueshme të Marokut.

E themeluar rreth 1000 vjet më parë në buzë të Saharës, ky qytet i tregut jugor u zhvillua së tepërmi për t’u bërë një nga qytetet e mëdha të Magrebit dhe një vend i Trashëgimisë së Unesco-s. Por, Marrakeshi nuk është thjesht e vetëm një pjesë e historisë së ngurtësuar që turistët vijnë për ta prekur dhe shijuar nga afër. Ky vend shpërthen në dukje me një densitet intensiv të jetës dhe një sipërmarrje tejet moderne. Ka gjithçka që një turist do dëshironte të përjetonte në pushimet e tij. Në çdo cep të qytetit mund të shihni ata që ndryshe njihen si njerëzit e gjarpërinjve, pasi i bien fyellit dhe krijojnë nota muzikore ndërsa gjarpërinjtë duket sikur “kërcejnë”, e më pas mund të shijoni një drekë jashtë në restorantet më të njohura në Djemaa el-Fna.

Kjo e fundit është zona më e frekuentuar nga të huajt në Marrakesh. Do të përpiqeni të merrni kujtimet më të bukura nga ky udhëtim në lëkurën tuaj, përmes tatuazheve me këna që janë atraksion më vete për çdo turist. E nëse vendosni të përkëdhelni veten me një trajtim të veçantë, hamami është një nga këto përvoja që duhet provuar doemos në Marrakesh. Ndaluni një moment dhe përjetoni gjithë bukuritë që ofron ky destinacion, një ndjesi të cilën mund ta merrni fare lehtë edhe duke shkëmbyer biseda me banorët vendas që mund të flasin disa gjuhë të huaja. Sepse shanset që të vini përsëri në Marok mund të mos jenë edhe aq të shumta, ndaj ky është momenti të shfrytëzoni çdo ju ofron pa kushte ky vend!

Kopshti Jardin de Majorelle

Piktorit francez Jacques Majoerelle ju deshën dyzet vite pasion dhe përkushtim për të krijuar këtë kopsht të mrekullueshëm në zemër të qytetit të Marokut. Do të magjepseni nga harmonia e ngjyrave, nga pemët e harlisura dhe nga një peizazh tërheqës larg qytetit të nxehtë dhe mureve të lartësuara të Marrakeshit.

Xhamia Ali ben Youssef Medersa

Me kupola të gdhendura, me ngjyra që miksohen në muret e saj dhe dysheme, si edhe dritare të mëdha prej nga mund të shohësh gjithë qytetin që shtrihet para syve tuaj, kjo xhami është atraksion për turistët.

Pallati Bahia

Imagjinoni se çfarë mund të ndërtojnë artizanët më të mirë të Marokut në harkun kohor të 14 viteve? Rezultati ja ku është! Pallati Bahia, me sallat e ndara të riadit të vogël dhe riadit të madh me zbukurime të tavaneve me teknikën zonak(piktura), dhe oborr të madh, me dritare qelqi dhe panele të endura me mjaft mjeshtëri artizanale, e bëjnë këtë pallat një nga më të frekuentuarit. 

Muzeu i Marrakeshit

Ky muze ekspozon një koleksion të veçantë të formave të artit maroken brenda salloneve të pallatit Mnebhi. Me oborr të brendshëm qendror, me pllaka të pikturuara, me dy hapësira të kuzhinës tradicionale të Marrakeshit dhe hapësirë hamami, ky muze ju njeh me shumëçka interesante nga kultura marokene.

Kafeneja Dar Cherifa

Çaji, lëngu dhe kafja e shafranit shërbehen në sofrat e ulëta, por të këndshme të cilat janë akomoduar në oborrin e ndërtuar me ngjyrë të kuqërremtë dhe shtylla të larta. Nëse doni, mund ta shijoni kafenë në tarracë, ku janë të ekspozuara edhe disa vepra arti.

Restorant Latitude 31

Nëse doni një ambient elegant për të provuar një shije ushqimi mjaft të rafinuar, ky është vendi i duhur. Një kuzhinë ku miksohet tradita me kuzhinën moderne, me pjata unike që vetëm në këtë restorant mund t’i provoni.

Tagine

Një ushqim që gatuhet tradicionalisht në Marrakesh në nxehtësinë e tavave të baltës në formë konike. Me përbërës të tillë si mish, fruta të thata dhe perime të stinës, kjo pjatë shërbehet thuajse në të gjitha restorantet e këtij vendi.

Harira

Me mish qengji, shafran, piper të zi, kanellë, selino, qepë dhe gjalpë, kjo recetë e shijshme që gatuhet në zjarr të avashtë, është një nga më të preferuarat në Marrakesh, pse jo edhe në gjithë Marokun.

Keku B’astilla

Një kek i gatuar me gjalpë, dhe shije karamele, shpesh i mbushur me fruta ose reçel , është një shije që duhet ta provoni doemos nëse vizitoni Marrakeshin.

Çaj mente

I njohur si “whisky maroken”, çaji i mentës është një pije që konsumohet në masë në Marrakesh, jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistët. Ëmbëlsohet me sheqer, sipas dëshirës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat