Pllaja e Shishtavecit është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare

Turizëm

Pllaja e Shishtavecit është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare

Azem Parllaku Nga Azem Parllaku Më 2 shkurt 2020 Në ora: 14:16
Pllaja e Shishtavecit

Shishtaveci, fshati ku bashkojnë dhe ndajnë kufijtë tre shtetet Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, është kthyer në zonë e preferuar dhe që po vlerësohet nga turistët vendas dhe të huaj. Zona e Shishtavecit konsiderohet një nga pjesët më të bukura malore të Shqipërisë. Turistët e ndryshëm kërkojnë një natyrë të pastër dhe këtë e gjejnë në pllajën e Shishtavecit, pasi gjithçka këtu është natyrale. Krahas natyrës së mrekullueshme, këtu gjen njerëz të pastër, mikpritës dhe bujarë. Një turist polak, i cili vitin që shkoi, e kishte kaluar një natë pikërisht këtu tek resorti "Skiatori", poshtë Gurit të Mëngjesit, shkroi për Portalin tonë: "Këtu është një zonë më pak turistike, por është e këndshme, sepse mund të jesh vetëm ti në mesin e bjeshkëve, pa njerëz apo turistë të shumtë rreth e qark".

Të vish në Shishtavec dhe të mos ngjitesh deri tek Guri i Mëngjesit, ke humbur një mundësi dhe përvojë të këtij udhëtimi mbreslënës. Në cepin jugor të vargmalit të Sharrit, me pamjen përballë Gjallicës dhe Alpeve të Shqipërisë, 32 km nga qyteti i Kukësit, shtrihet pllaja e Shishtavecit, një prej destinacioneve më të veçanta në qarkun e Kukësit. Pylli i mështeknës në kërthizë të saj, burimet e ftohta të ujit, e livadhet e shtruara nën këmbët e pllajës, e shndërrojnë atë në një vend, potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët. Madhështia e natyrës së paprekur të ofron lule shumëngjyrëshe e të rralla në llojin e vet.

Një nga pikat piktoreske në këtë mrekulli natyrore është padyshim edhe Guri i Mëngjesit, si një pikë ballafaqimi të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të sportit të skive, te të cilët kjo zonë sigurisht lë mbresa të pakrahasueshme.

Pa asnjë dyshim, pllaja e Shishtavecit mund të quhet edhe një park zoologjik natyror. Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra. Por përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, është e pasur edhe me shpendë të ndryshëm që folenizojnë këtu. Nuk duhet lënë pa përmendur gëzofi i dëborës që e mbulon pllajën për disa muaj.

Shishtavecari, Gani Pashaj, i cili ka vite që punon në Slloveni, ka guxuar të investojë me qëllim për ta transformuar sportin e skive në një biznes fitimprurës. Pashaj ka instaluar këtu një ndërtesë të madhe prej druri, e cila shërben si restorant dhe hoteleri. Akomodimi dhe kuzhina, në këtë pikë gjendet në të gjitha format, që nga ushqimi natyral dhe i thjeshtë i shtëpisë, e deri tek pjatat më të sofistikuara të kuzhinave ndërkombëtare. Veçanërisht për kuzhinën e sofistikuar Ganiut i vijnë në ndihmë bashkëshortja dhe kunati i tij, të cilët janë të diplomuar dhe përvojë kuzhinimi në resortet turistike jashtë Shqipërisë.

Skiatori, është shtëpia e madhe në bjeshkën e Shishtavecit, që ka hapur dyert para dy vitesh. Pashaj thotë se tashmë e ka ka kaluar fazën fillestare të investimit, ndaj dhe po punon për të vendosur cilësinë më të lartë të shërbimit standard. Gjatë stinës së verës vizitorët janë të shumtë. Ata organizohen në grupe, kryesisht vendas që punojnë në emigracion, dhe turistë të huaj që prenotojnë më përpara. Ushqimet që gatuhen janë prodhim vendi, kjo është edhe ajo çka kërkohet nga turistët, veçanërisht bulmeti dhe mishi.

Resurset natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Përpos të tjerave Ganiu ka sjellë makinën e dëborës për të niveluar pistat e skive, disa motorë bore dhe një funikular të vogël me anë të së cilit skiatorët ngjiten në majën e malit Kallabak, në lartësinë 2,174 metra. Skijimi është sporti që shishtavecarët e duan aq fort, e këtu skiatorët profesionistë janë të shumtë në numër. Si skiator profesionist Ganiu, nuk kursehet të mbështesë dhe organizojë garat në pistat që shtron. Për kushtet që ofrojmë sa i përket këtij sporti dimëror ai thotë se, ka sensibilizuar Federatën Shqiptare të Skive, organizmat e qeverisjes vendore, etj. Me mbështetjen e tij, janë zhvilluar disa gara me skiatorë nga Shishtaveci, Novosej dhe Borja. Më të mirë kanë marrë pjesë në gara të ndryshme të zhvilluara në Kosovë dhe Maqedoni.

Janë të shumtë ata që zgjedhin "Skiatorin" si vend pushimi, por nuk mjafton vetëm bukuria natyrore. Sipas invesitorit Pashaj, pushteti lokal duhet të investojë në infrastrukturë. Aktualisht asnjë qindarkë nuk është hedhur në këtë drejtim. Edhe rruga nga Shishtaveci deri tek Guri i Mëngjesit, ky i fundit monument natyre i mbrojtur me ligj, po mirëmbahet nga Pashaj.

Pllaja e Shishtavecit është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare. Është zona turistike më e vizituar në rrethin e Kukësit, madje nga më të vizituarat në gjithë qarkun pas luginës së Valbonës. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriore të vendit, ndaj inisiativa të tilla si kjo e Ganiut duhen përshëndetur. Turizmi këtu do të përmirësojë ekonominë e banorëve, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën. Në ndërkohë që ka ardhur koha që kjo përvojë, ti qaset turistëve dhe agjencive turistike për të eksploruar itinerararin tek "Skiatori" poshtë Gurit të Mëngjesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat