Turizmi shqiptar pritet të ketë një vit kritik pas tërmetit

Turizëm

Turizmi shqiptar pritet të ketë një vit kritik pas tërmetit

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 07:46
Ilustrim

2020-ta do të jetë një vit i vështirë për sipërmarrjen shqiptare, që do të duhet të rikuperojë pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

Raporti zyrtar i dëmeve vlerëson se humbjet për industrinë arritën në 150 milionë euro, me turizmin dhe prodhimin si dy sektorët e goditur më rëndë.

Përfaqësuesit e biznesit deklarojnë se pasojat vijojnë të ndihen. Te fasonët, kriza e nisur me zhvlerësimin e euros është thelluar, ndërsa turizmi në prag të sezonit deklaron se ka anulime rezervimesh. “Ka dëme shumë të mëdha në biznes. Ka biznese të dëmtuara rëndë, të tjera që kanë ndërruar vend, që ka kostot përkatëse”, shprehet Gjergji Gjika, kryetar i Shoqatës së Fasonistëve të Shqipërisë.

“Kemi reagime jo të mira të sezonit. Ka anulime, ka skepticizëm. Duke afruar sezoni, njerëzit presin se si do të jetë reagimi i tregut”, thotë Kliton Gërxhani, zv/kryetar ATOA. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Fasonistëve, emigracioni, mungesa e krahut të punës dhe mungesa e masave mbështetëse nga qeveria e kanë bërë këtë industri jokonkurruese me vendet e rajonit.

“Ne nuk jemi më konkurrues. Shqipëria nuk ofron më asnjë gjë më të madhe, por më të vogël se shtetet fqinje që zhvillojnë këtë biznes”, thotë Gjika.

Ndërsa sipas nënkryetarit të Shoqatës së Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike, më shumë se dëmet fizike, ndikimi negativ më i madh është efekti psikologjik, që kërkon dhënie garancie mbi sigurinë.

“Dëmi më i madh është ai psikologjik. Njerëzit ngurrojnë të vijnë në një zonë të prekur dhe kërkohet një çertifikim institucional nga një kompania e huaj, por ndoshta edhe nga shteti ku të vendoset firma”, thotë Gërxhani. Përfaqësuesit e biznesit shprehen se ky vit do të jetë shumë i vështirë dhe apelojnë që një pjesë e fondeve të siguruara nga Konferenca e Donatorëve të shkojnë për ringjalljen e ekonomisë.

Sipas raportit të dëmeve, 714 biznese u dëmtuan plotësisht ose pjesërisht nga tërmeti, së bashku me 18 struktura akomoduese dhe 42 bar restorante. Rikuperimi i këtyre sipërmarrjeve do të kërkojë në total 51 milionë euro investime. “Viti 2020 do të jetë viti i falimentimeve, të cilat kanë filluar. Kjo do të ndikojë te punësimi”, shprehet Gjergji Gjika.

“Në dy vitet e ardhshme do të ketë rënie të numrit të turistëve vetëm prej tërmetit, pa u futur koronavirusi në mes. Kjo tregon se po ta lexojmë realitetin ashtu siç duhet do të kemi një vit jo të lehtë. Ekonomia ka nevojë edhe për injeksion edhe për projekte të caktuara”, thotë Kliton Gërxhani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat