Kërkohen 3 milionë euro për rimëkëmbjen e turizmit

Turizëm

Kërkohen 3 milionë euro për rimëkëmbjen e turizmit

Më: 19 maj 2020 Në ora: 10:27
Foto ilustrim

Mbyllja e kufijve si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, por edhe kufizimi i lëvizjes së njerëzve ka bërë që sektori i turizmit në vend të pësojë humbje të mëdha.

Tashmë orientimi i agjencive është krijimi i paketave të lira turistike që do të tërhiqte tregun e brendshëm, pra vet qytetarët e Kosovës si dhe ata të rajonit.

Mbyllja e gastronomisë, hotelerisë, agjencive turistike ka bërë që 100 përqind të mbyllet i gjithë sektori i turizmit.

Humbjet që ky sektor ka pësuar vlerësohen të jenë miliona, e rimëkëmbja e turizmit shihet si e pamundur nëse nuk do të ketë ndihmë edhe nga shteti.

Kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti, thotë se dëmet që pandemia i ka shkaktuar turizmit në Kosovë janë jashtëzakonisht të mëdha.

“Dëmet në sektorin e turizmit nga pandemia COVID-19 janë jashtëzakonisht shumë të mëdha, duke e pasur parasysh që është një sektor i prekur direkt qysh nga dita e parë dhe ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Të gjitha subjektet hoteliere, të gjitha restorantet, të gjitha kafiteritë, të gjitha agjencitë turistike, komplet i gjithë sektori është i mbyllur qysh nga dita e parë dhe doemos që kjo ka ndikuar negativisht qoftë tek punësimi, qoftë tek zhvillimi ekonomik”, thotë ai.

Për të rimëkëmbur sektorin e turizmit, kjo shoqatë ka bërë një propozim prej 5 pikave tek qeveria e vendit dhe Ministria e Ekonomisë (MEPTINIS) se çfarë duhet të ndërmerret.

Ndër pikat e parapara, Hoti tha se është zbritja e TVSH për sektorin e akomodimit nga 18 përqind në 8 përqind, krijimi i kushteve për kredi me norma të ulëta të interesit për sektorin e turizmit dhe hotelerisë dhe shtyrja e kredive për këto biznese deri me 31 dhjetor 2020.

Po ashtu, pikë e këtij propozimi është që të gjitha institucionet të obligohen që konferencat, seminaret, eventet dhe aktivitetet e planifikuara t’i mbajnë në Kosovë.

“Kemi krijuar për vitin 2020 dhe 2021 komplet planin se si duhet të veprohet, në çfarë drejtimi duhet të veprohet dhe kemi nxjerrë një kosto të përafërt, mund të them që është deri diku 90 përqind e saktë, ku kostoja e zhvillimit të këtij sektori mund të jetë rreth 3 milionë euro. E them këtë për shkak se ne duhet të fokusohemi që të krijojmë oferta të lira turistike, të krijojmë oferta për rajonin siç është Shqipëria dhe Maqedonia dhe të krijojmë oferta për vet neve, pra oferta të brendshme me qëllim që t’iu krijojmë të hyra të gjithave këtyre bizneseve”, deklaroi ai.

Duke qenë se ende nuk dihet se kur do të hapen kufijtë, Hoti thotë se këtë vit nuk presin që të ketë shumë vizitorë që do të vijnë në Kosovë. Megjithatë, ai potencon se së bashku me agjencitë turistike, hotelet kanë rënë dakord që të krijojnë paketa shumë të lira turistike, që të njëjtat të mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët e Kosovës.

Ai thotë se Kosova ka shumë bukuri natyrore të cilat vlejnë të vizitohen, e nëse çmimet do të jenë të përballueshme ato mund të shfrytëzohen edhe nga banorët e vendit.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konfirmon se pandemia ka goditur rëndë sektorin e turizmit. Megjithatë, ai thotë se ndërmarrja e masave të duhura mund ta shpëtojë këtë sektor.

“Kemi disa shtresa të problemit të cilat po krijohen dhe të cilat e bëjnë shumë më të vështirë edhe ndër sektorët e fundit që do të rimëkëmbët, aq sa mund të rimëkëmbët është sektori i gastronomisë, hotelerisë, sektori i udhëtimit, i turizmit, transportit i udhëtarëve. Kjo është diçka që globalisht po diskutohet, por megjithatë unë mendoj që masat e duhura në kohën e duhur edhe mund të shpëtojnë aq sa mund të shpëtohet”, thotë ai.

Kreu i Odës Ekonomike deklaron se një pjesë e mirë e GDP-së së vendit do të ndikohet nga aktiviteti i ulët ekonomik gjatë muajve të verës.

Sipas tij, nuk pritet që këtë vit Kosova të ketë vizitorë të shumtë, e kjo sipas tij do të ketë ndikim edhe në ekonominë e vendit.

“Diku konsiderohet që janë mbi 20 mijë dasma që organizohen gjatë muajve të verës ose ahengje, pastaj është një numër i madh i trajnimeve, seminareve, konferencave, pastaj është një numër i caktuar i vizitorëve që vijnë nga diaspora. Nuk mund të flasim për më pak se 300 milionë euro, po nuk mund të flasim as për shifra të tjera të sakta, po sigurisht një pjesë e mirë e GDP-së së vendit do të ndikohet nga aktiviteti i ulët ekonomik që do të jetë gjatë muajve të verës, në krahasim me vitin e kaluar dhe vitet tjera kur ka qenë një ‘boom’. Ka pasur dy-tre vitet e fundit edhe në raportet e Bankës Botërore shihet rritja e kontributit të turizmit në GDP-në e vendit, do të thotë ka një rritje goxha të dukshme edhe kjo rritje e turizmit lidhet drejtpërdrejtë me këtë pjesën e verës, kur ne e kemi po them kushtimisht turizëm të diasporës”, thotë Rukiqi.

Se turizmi ka pësuar humbje gjatë kohës kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19 e thonë edhe nga kompania turistike “Fibula”.

Zyra për media e kësaj agjencie, përmes përgjigjeve me shkrim thonë se kanë pasur anulime të fluturimeve që kanë qenë për muajin maj dhe qershor. E të gjitha këto anulime, sipas tyre u kanë shkaktuar dëme.

Ndonëse qeveria e vendit në pakon emergjente ka bërë mbulimin e një pjese të qirasë së objekteve dhe paga prej 170 eurosh për punëtorët, sipas tyre kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ne kemi pasur grupe që kanë pasur të vijnë në Kosovë për ta vizituar Kosovën dhe ato janë të gjitha të anuluara. Këtu afektohemi ne si agjenci turistik, pastaj hoteli, transporti, aviokompania, ekskursionet, pagesa nëpër muze, drekat nëpër restorante. Të gjitha këto janë të lidhura me turizmin dhe turizimin e ka prekur më së shumti”, thuhet në përgjigje.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, saktësisht nga Departamenti i Turizmit, se cilat janë masat që do t’i ndërmarrin për të ndihmuar këtë sektor, por përkundër pritjes prej disa ditëve nuk ka marrë përgjigje.

Tashmë vendi gjendet në fazën e dytë të lehtësimit të masave, ndërsa lirimi i disa prej sektorëve që lidhen me turizmin është paraparë të bëhet më 1 qershor. Ndërkaq, ende nuk ka një datë se kur do të hapen kufijtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat