Klosi: Të bashkërendojmë turizmin për 12 muaj në Kosovë e Shqipëri

Turizëm

Klosi: Të bashkërendojmë turizmin për 12 muaj në Kosovë e Shqipëri

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 09:30
Ilustrim

Kosova e Shqipëria është e rëndësishme të ndihmojnë njëra-tjetrën, pas humbjeve që kanë pësuar të dyja vendet gjatë pandemisë. Shtetasit e Shqipërisë e ata të Kosovës, duhet të shfrytëzojnë bukuritë që kanë këto dy vende, në mënyrë që ‘ringjallet’ sektori i turizmit.

Kështu shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, derisa shton se Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendojnë 12 muaj turizëm.

Klosi:Turizmi është një urë e jashtëzakonshme të të dyja anëve të bjeshkëve

“Turizmi duhet ta kuptojmë që është një urë e jashtëzakonshme bashkëpunimi ndërmjet problematike dhe zhvillimeve të të dyja anëve të bjeshkëve. Por në qoftë se sot dakordësuam diçka të rëndësishme me kolegët Krasniqi, është që të kemi mundësinë që detin ta shikojmë si detin e të gjithë shqiptarisë, nuk është deti vetëm i Shqipërisë, është i gjithë shqiptarisë. Por, shumë më tepër shumë turistë të Shqipërisë të vizitojnë bukuritë që ka Kosova, sidomos në turizmin e dimrit, e prandaj të krijojmë një cikël edhe nëpërmjet kompanive turistike që të bashkërendojnë në 12 muaj turizëm në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha Klosi.

Ministri i Turizmit shprehet se sektori i turizmit ka qenë pothuajse më i godituri nga pandemia që preku gjithë botën muajve të fundit.

Ai gjatë përurimit të hotelit “Regina Blue” në Vlorë, theksoi se duhet të ndihmohet ky sektor për të qëndruan në këmbë.

Klosi: Pandemia e ka goditur shumë turizmin

“Gjatë këtyre tre muajve të pandemisë ne nuk u tërhoqëm, por vazhduam të promovojmë Shqipërinë, të promovojmë turizmin. E po ashtu të ndihmojmë këtë sektor për të ndenjur në këmbë. Sot jemi jo të gjunjëzuar, por në kohën kur të gjithë janë të tërhequr sa i përket biznesit në Vlorë investohet akoma në hotele të reja, në struktura të reja, ka kërkesë, ka biznes. Por pandemia e ka goditur shumë”, shtoi Klosi.

Klosi bëri thirrje që shqiptarët të bëjnë pushimet në Kosovë e Shqipëri, për të rimëkëmbur ekonominë dhe sektorin e turizmit.

Të njëjtën thirrje e pati edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili ndër të tjera tha se bregdeti shqiptar duhet të jetë destinacion turistik gjatë kësaj vere.

Leli: Do të doja shumë që këtë verë shqiptarët të zgjedhin Vlorën

“Do të doja shumë që këtë herë, këtë verë shqiptarët të zgjedhin Vlorën dhe jo vetëm Vlorën, por gjithë bregdetin e Shqipërisë si destinacionin turistik të kësaj vere”, ka thënë ai.

Të premtën në mbrëmje është përuruar hoteli “Regina Blue”, në Vlorë. Hotel ky i cili që nga vitit 2006 është destinacion për kosovarët. Për këtë edhe këtë sezonë verore agjencia turistike “Fibula Travel”, do të ketë oferta të mira për të gjithë pushuesitnë jug. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat