Turizmi në Greqi, hapen gjashtë porte për kroçerat

Turizëm

Turizmi në Greqi, hapen gjashtë porte për kroçerat

Më: 1 gusht 2020 Në ora: 14:42
Foto ilustrim

Greqia ka rihapur gjashtë nga portet e saj, përfshirë atë të Pireut në Athinë, për anijet krocera, për të parën herë në sezonin e reduktuar turistik të këtij viti për shkak të koronavirusit.

Vendi që mbështetet në një masë të madhe tek turizmi, po përpiqet të shpëtojë çfarë mundet nga ky sezon dhe duket se po ndihmohet edhe nga shifrat e rasteve të reja dhe viktimave të koronavirusit.

Dhe në fakt rezultate po arrin. Mediat e huaja e paraqesin Greqinë si vendin më të sigurt të Evropës për turizëm. Sipas CNN, Greqia ka punuar shumë për ta adaptuar ofertën e saj turistike në erën e pandemisë. Dhe të paktën për momentin kjo duket se po jep fryte, edhe pse një valë e dytë infektimesh po kërcënon tashmë destinacionet e tjera evropiane. Falë faktit se deri më tani regjistrohen jo shumë raste, nëse viziton shumë pjesë të Greqisë, këto kohë, duket sikur je në një vend ku covid 19 nuk ka shkelur kurrë.

Ka disa masa parandaluese në fuqi por plazhet e bukura dhe tavernat vazhdojnë të ofrojnë sipas CNN relaksin autentik grek të nevojshëm për të kuruar lëndimet e izolimit. Sidoqoftë, jo të gjithë mund të vizitojnë Greqinë në këtë moment. Ajo ka hapur kufijtë vetëm për vendet e bashkimit evropian edhe për një numër vendesh të tjera edhe pse zyrtarët kanë paralajmëruar se edhe vizitorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të lejohen para fundit të verës. Turistët duhet të plotësojnë një formular para nisjes, në të cilin japin detajet se ku do të qëndrojnë. Në mbërritje ata i nënshtrohen testimeve rutine dhe nëse ndokush rezulton pozitiv mund të karantinohet për 14 ditë. Së fundmi është hequr edhe ndalimi i vizitorëve nga Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat